E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vlorë, Aleanca protestë për lirimin e 7 të arrestuarve

 

Mbështetës të Aleancës dhe përfaqësues të shoqërisë civile janë takuar me policinë por pamarrë përgjigje pozitive

VLORË- Përfaqësuesit e Aleancës për mbrojtjen e Gjirit të Vlorës kanë zhvilluar sërish protesta gjatë ditës së djeshme duke kërkuar lirimin e shtatë përfaqësuesve të tyre të arrestuar nga policia. Protesta e djeshme ka nisur si një tubim paqësor nga zyrat e Aleancës dhe ka vazhduar në qendër të qytetit të Vlorës për tu ndalur përpara komisariatit të policisë. Gjatë gjithë tubimit kanë qenë në dispozicion forca të shumta policore të cilat kanë vëzhguar protestën por në disa raste edhe kanë ndërhyrë në të. Pjesëmarrës në protestën e djeshme kanë qenë përfaqësuesja e shoqatës së të drejtave të njeriut Kozara Kati, Sazan Guri, Ardian Klosi, Lavdosh Feruni dhe shumë intelektualë të tjerë nga qytete të ndryshme të Shqipërisë. Aleanca për mbrojtjen e Gjirit të Vlorës dhe përkrahësit e saj kanë kërkuar sërish dje lirimin e shtatë anëtarëve të arrestuar. Gjashtë Aleancistët e parë janë prangosur në orët e para të së martës ndërsa i fundit është arrestuar mbrëmjen e po asaj dite. Ndaj tyre policia ka ngritur akuzat e bllokimit të rrugës dhe organizim të tubimeve të paligjshme. Në komisariatin e policisë së Vlorës, aty ku mbahen edhe shtatë të arrestuarit, janë paraqitur edhe dy juristë të avokatit të popullit, pas kërkesës së bërë prej alencistëve.

Drejtori i policisë, Vehbi Bushati, deklaroi për mediat se policia po zbaton ligjin, dhe është detyrë e prokurorisë dhe gjykatës të marri vendimin për lirimin e të arrestuarve që sot pritet të dalin përpara trupit gjykues për vlerësimin e masës së sigurisë. Drejtuesit e Aleancës kanë vijuar me kërkesat për lirimin e shokëve të tyre, ndërsa pas daljes nga zyra e drejtorit të policisë, e grupit të dialogut ka deklaruar se policia nuk bëri asgjë për plotësimin e kërkesës së tyre duke mbajtur të arrestuar padrejtësisht drejtuesit e Aleancës. Ata dje kanë pasur edhe mbështetjen e lëvizjes Mjaft. Gjatë paradites së sotme është parashikuar edhe një tjetër protestë përpara godinës së prokurorisë dhe gjykatës së rrethit Vlorë. Aty do të kërkohet sërish lirimi i shtatë të arrestuarve padrejtësisht nga ana e policisë.

Makinat e policisë, sikur luanin në një film me luftë, kanë dalë disa herë me shpejtësi të madhe nga komisariati

Policia inskenon manovra përpara protestuesve

VLORË- Që në hyrje për në komisariat Aleancistët janë përballur me dy kordonë të policisë me gjithsej rreth 30 policë civilë si dhe me uniformë. Pasi protestuesit kanë bllokuar rrugën kryesore që të çon për në komisariat ata kanë tentuar të shkojnë deri në vendin para komisariatit por aty nuk i kanë lejuar efektivët e policisë. Por në këtë moment policia ka nisur "filmin" e saj duke inskenuar disa manovra të denja për ngjarje të jashtëzakonshme. Një makinë e FNSH së Fierit e tipit IVEKO e madhe e mbushur plot me policë ka dalë që nga komisariati me sirenë të ndezur si dhe me shpejtësi, ka kaluar para protestuesve si dhe nuk ka ndaluar fare. Për rreth dy minuta më vonë, pasi makina e FNSH së Fierit ka kaluar, protestuesit kanë bllokuar sërish rrugën,ndërkohë që një tjetër makinë, fuoristradë e policisë së Vlorës ka dalë nga komisariati si e para si dhe me sirenë ndezur dhe me 4 policë brenda ka çarë sërish bllokimin e aleancistëve Më pas ka qenë dhe një makinë e rrugores si dhe një motor i ardhur nga Fieri i policisë rrugore ajo e cila ka kaluar përfaqësuesit e aleancistëve, ndërkohë motori i rrugores ka ndaluar rreth pesë metra larg policisë. Së bashku me mjetet ka dalë më pas dhe makina e ekspertizës, por ajo ka kaluar qetësisht. Pas makinave ka qenë vetë Bushati, që ka ardhur para protestuesve ku ka urdhëruar efektivët e tij që të spostonin protestuesit në dy anët e trotuareve për arsye se aty ku ishin mbledhur pengonin institucioni që ai drejton.

"Gazetaria sot po i ofron "llokume" prokurorisë dhe nga ana tjetër kjo prokurori nuk vepron"

Jaho: Në Vlorë po shkelen ligjet e shtetit

TIRANË- Konstitucionalisti Njazi Jaho është shprehur dje i vendosur kundër veprimeve të policisë së Vlorës, e cila prej ditësh mban të burgosur krerët e Aleancës për mbrojtjen e Gjirit të Vlorës vetëm sepse ata kanë marrë pjesë në një protestë. "Shoqërimi nuk duhet të zgjasë më shumë se 10 orë ndryshe kemi të bëjmë me shkelje të procedurës penale. Gjithashtu në rastin e shoqërimit personi ose personat nuk duhet të çohen në izolim ose qeli por në ambientet e komisariatit, në korridor në zyra etj, pra jo të trajtohen si kriminelë apo të dyshuar të tillë", shprehet konstitucionalisti Njazi Jaho. Komiteti Shqiptar i Helsinkit ka dërguar një person që të verifikojë për trajtimin e të paraburgosurve në Vlorë që nga ndalimi i tyre deri në fund, për të dalë më pas në një konkluzion më të qartë. Nëse personat mbahen në kushte të këqija higjienike ose shumë vetë në një birucë e të tilla atëherë është shkelur kushtetuta, procedura penale dhe konventat ndërkombëtare, disa raste ekstreme mund të hyjnë edhe në torturë. Sipas tij, ngelet tashmë për tu gjykuar përvoja e aktivistëve të Vlorës, fakti se i futën të gjithë bashkë në një birucë të qelbur me urinë dhe faktin se si i arrestuan dhe si i mbajtën në paraburgim, njësoj si kriminelë të zakonshëm. Lidhur me referendumin që qytetarët vlonjatë përpiluan dhe firmosën, juristi Jaho sqaron se legjislacioni shqiptar nuk e zbërthen referendumin. Ky i fundit është i zbehtë dhe shumë i paqartë. Kjo do të thotë se hapësira ligjore nuk e njeh veprimin me të, pasi ai nuk parashikohet qartësisht në ligj, dhe si i tillë mund të hidhet poshtë nga shteti kur të dojë. "Gazetaria sot po i ofron "llokume" prokurorisë dhe nga ana tjetër kjo nuk vepron, nuk mund të justifikohet kurrë një prokurori për mosveprim sepse mungon denoncimi. Prokuroria duhet të veprojë qoftë edhe nga një shkrim i dhënë në një gazetë. Media po shfaqet shumë më lart në hetim sesa vetë prokuroria",- vazhdon konstitucionalisti i njohur Jaho, duke aluduar gjithashtu edhe për predhat në bregdetin e Vlorës. Çështjen e Petrolifierës ai e konsideron aspak transparente dhe të dyshimtë, megjithëse juristi nuk nxitohet të japë mendime të paargumentuara ligjërisht, siç shprehet ai vetë " unë punoj me letra".

Lavdosh Feruni

Lavdosh Feruni ka akuzuar policinë lokale se ka shkelur të gjitha ligjet e shtetit duke prangosur krerët e Aleancës për mbrojtjen e Gjirit të Vlorës. "Ashtu siç e mendonim nuk shpresonim se ky shtet do të arrinte dot të respektojë të drejtat e shqiptarëve dhe shtetasve të tij, të cilët mbahen absolutisht jashtë çdo kuadri ligjor, por edhe në kushte shumë të këqija. E ritheksojmë se janë arrestime të paligjshme dhe nuk besojmë se nga ana e përfaqësuesve të institucionit që ne kemi përballë (duke ju referuar drejtorisë së policisë ku zhvillohej protesta), se ka vullnet të mirë për tu ndërhyrë. Duke parë paligjshmërinë e pazakontë për qytetarët që jetojnë këtu, por edhe për gjithë Shqipërinë, ne do të vijojmë protestat tona, falë të cilave të lirohen shokët tanë, por edhe mosbindjen civile", tha Feruni.

Ardian Klosi

Ardian Klosi i është referuar pikërisht Gërdecit në fjalën ë tij. " Nuk ka asnjë bazë ligjore të justifikojë këtë. Ne kërkuam takim, por ndalimi dhe trajtimi i i aleancistëve, të cilët janë intelektualë, që mbahen në kushte tejet mizerje, është antiligjor. Në Gërdec, aty ku u vulosën gjurmët e tragjedisë, si përgjegjës u vunë në pranga vetëm tre vetë. Këtu për një protestë, e cila ishte në mbrojtje të jetës, prangosen shtatë vetë, duke thyer çdo kuadër ligjor. Ky është shteti ynë", pohoi publicisti i njohur, Ardian Klosi.

Avokati i Popullit zbulon raste dhune ndaj krerëve të Aleancës që ndodhen në qelitë e paraburgimit të policisë së Vlorës

MJAFT: Policia po dhunon verbalist protestuesit

TIRANË- Lëvizja MJAFT! Është shprehur tepër e indinjuar për shkeljet flagrante të ligjit dhe tejkalimin e kompetencave nga ana e Policisë së qytetit të Vlorës, pas ndalimit të drejtuesve të Aleancës për Mbrojtjen dhe Zhvillimin e Gjirit të Vlorës (AMGJ). "Kjo polici po sillet aktualisht si policia e një shteti gangsterësh që ushtron dhunë psikologjike, por edhe fizike ndaj qytetarëve. Gjashtë prej drejtuesve të Aleancës për Mbrojtjen dhe Zhvillimin e Gjirit të Vlorës vazhdojnë të mbahen në kushte çnjerëzore brenda Komisariatit të Vlorës",- thanë përfaqësuesit e lëvizjes. Ndërkohë ata, duke iu referuar burimeve nga Avokati i Popullit, thanë se ndaj tyre është ushtruar edhe dhunë fizike, ndërkohë që në një qeli të komisariatit mbushur me urinë janë mbajtur, thuajse pa ajrosje fillimisht tetë vetë, të cilëve me një tub u janë futur brenda edhe kutërbimet e fekaleve.

"Këto akte kanë vetëm një emër: Torturë, kundër qytetarësh që deri tani kanë protestuar vetëm në mënyrë paqësore. Avokati i Popullit njoftoi gjithashtu Lëvizjen MJAFT! se agjentët e policisë kanë në dispozicion të tyre një video gjatë tubimit të fundit të aktivistëve të AMGJ-së", thanë përfaqësuesit. Sipas tyre, Z. Ermir Dobjani mundi ta shikonte këtë video dhe konstatoi se ndalimi mes grumbullit të aktivistëve, vetëm i drejtuesve të tij, është një shkelje e hapur e ligjit, pasi kuptohet fare mirë se ky ndalim është selektiv dhe synon të godasë direkt dhe të bllokojë përfundimisht gjithë Lëvizjen e aktivistëve të AMGJ-së. Kjo ndodh në një moment kur pothuajse e gjithë vëmendja e publikut është fokusuar ndaj tragjedisë së Gërdecit, duke i bërë edhe më të pambrojtur aktivistët e Vlorës.

Ndërkohë MJAFT! Ka denoncuar edhe veprimet arbitrare dhe kërcënimet e policisë ndaj aktivitësve të saj. "Konkretisht, dje në mbrëmje një grup agjentësh civilë të Policisë së Vlorës kanë kërcënuar juristin e Lëvizjes MJAFT! Andi Kananaj. Kananaj ndodhej para Komisariatit bashkë me aktivistë të tjerë të Aleancës kur njëri prej agjentëve iu drejtua duke thënë: "Hej… Pas pak ikin dritat… Ki kujdes se këtu nuk je në Tiranë". Agjentët e tjerë i bënin presione përmes dhunës verbale që të largohej e të mos kishte mundësi të fliste me të ndaluarit e Aleancës që ndodheshin brenda Komisariatit. Vetë drejtori i Policisë së Vlorës, Vehbi Bushati, doli para Komisariatit duke frikësuar verbalisht qytetarët për t'u larguar. Lëvizja MJAFT! disponon në zyrën e saj të Shtypit material filmik ku duket qarte Kryepolici i Vlorës z. Vehbi Bushati teksa dhunon verbalisht qytetarët",- thuhet në njoftimin e lëvizjes MJAFT!.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›