E Diel, 1 Nëntor 2026

Pranga adoleshentëve, çmontonin pjesë hekurudhe për skrap

 

Policia kapi në flagrancë 3 adoleshentë, duke vjedhur pllaka metalike nga linja hekurudhore

 

ELBASAN-Një ditë më parë, policia e Elbasanit ka identifikuar tre adoleshentë për grabitjen e pjesëve metalike që mbajnë shinat e linjës hekurudhore, në afërsi të fshatit Mengël për t'i shitur ato për skrap. Mësohet se dy prej adoleshentëve me iniciale të njëjtaE.M, përkatësisht 15 dhe 14-vjeç, lindur e banues në fshatin Mengël të komunës Labinot-Fushë, në Elbasan u kapën rreth orës 12:00. "Ata u kapën duke grabitur disa pllaka metalike që shërbejnë për montimin e shinave të trenit që kalon në fshatin e tyre",- thanë burimet policore. Nga hetimet e policisë rezulton se të dy në bashkëpunim me njëri-tjetrin e kanë përsëritur disa herë këtë veprim, duke përfituar paratë pasi i kanë shitur pjesët për skrap. Policia tha se dy të ndaluarve iu bllokuan në cilësinë e provës materiale pllakat metalike që ata kishin vjedhur. Gjithashtu mësohet se një sasi pjesësh të linjës hekurudhore është bllokuar në një prej pikave të grumbullimit të skrapit të shitur nga dy adoleshentët. Vetëm një orë pas arrestimit të tyre, rreth orës 14.00 policia ka ndaluar për të njëjtën vepër penale 15-vjeçarin H.L, lindur e banues në lagjen "Çlirimi", të qytetit të Elbasanit. Burimet thanë se adoleshenti H.L u kap në flagrancë duke vjedhur gozhdët fiksuese të traversave të drurit të shinave të trenit në vendin e quajtur Kryqëzimi i Cërrikut, në linjën Elbasan-Librazhd. Mësohet se tre adoleshentët ndodhen në dhomat e paraburgimit të komisariatit të Elbasanit në pritje të hetimit për veprat penale të " vjedhjes" dhe " shkatërrim të rrugëve", ndërsa materialet në ngarkim të tyre i kaluan për hetime seksionit të të miturve në prokurorinë e rrethit të Durrësit.

 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›