Mbrojtja, shpenzimet 21.6 mld lekë në 2008
Gjatë vitit 2008, Shqipëria do të shpenzojë për mbrojtjen 21.6 miliardë lekë ose 176 milionë euro. Rreth 73% e fondit do të shpenzohet për paga, ushqime e të tjera shpenzime operative. Pjesa që mbetet, rreth 47 milionë euro duhet të shpenzohet për investime afatgjata. Shpenzimet për mbrojtjen janë totalisht 2% e GDP-së që nga ky vit, por perspektiva është që shpenzimet të mos arrijnë të realizohen tërësisht. Në vitin 2006, qeveria shqiptare vendosi papritur të shpenzojë 2% të PBB-së për mbrojtjen. Në këtë mënyrë, shpresohej që anëtarësimi në NATO të lehtësohej. Programi i mëparshëm qe që shpenzimet e mbrojtjes të rriteshin gradualisht dhe niveli prej 2% të PBB-së të arrihej në vitin 2010. Por në Shqipëri ndodh zakonisht që paratë jepen, por nuk shpenzohen. Viti 2006 u mbyll me shpenzime të mbrojtjes prej 13.8 miliardë lekësh, ose 1.5% e Prodhimit te brendshem Bruto. Ndersa vitin e kaluar, shpenzimet mbeten në 1.8% të PBB-së. Shumica dërrmuese e parave shkuan për shpenzime operative. Investimet mbetën zëri më i prekur nga mosrealizimet. Deri në vitin 2010 shpenzimet për mbrojtjen duhet të arrijnë në 26.4 miliardë lekë, ose 212 milionë euro. Afro një e katërta e këtyre fondeve duhet të përdoren për investime. Pas marrjes së ftesës për anëtarësim, ushtria shqiptare do të vijojë reformimin për zvogëlimin e numrit të ushtarakëve, si dhe për t'u përgatitur për të pasur trupa dhe mjete transporti për t'i zhvendosur këto trupa. Pasi hoqi dorë nga tanket, aeroplanët "MIG" dhe nëndetëset ofensive, qeveria shqiptare i është drejtuar Çekisë për aeroplanë, Holandës për anije si dhe ka marrë helikopterë gjermanë, dhuratë për transportin e trupave tokësore. Secila prej këtyre marrëveshjeve, përfshirë edhe helikopterët dhuratë, kushtojnë miliona euro. Projekti më i shtrenjtë i mbrojtjes shqiptare duket se është blerja e katër anijeve të reja holandeze, me vlerë të përbashkët prej 31 milionë euro. Nga këto, 11 milionë euro do të dhurohen nga Qeveria Holandeze. Anijet do të përdoren për patrullimin e bregdetit. NATO ka aktualisht një operacion për patrullimin e të gjithë Mesdheut, në kuadër të luftës kundër terrorizmit.