E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pa prodhim, nuk ka tregti

 

 

Shqipëria dhe Kosova duket se duhet të fillojnë të prodhojnë para se të nisin të tregtojnë

Më pak se 2 mijë mjete kalojnë kufirin mes Shqipërisë dhe Kosovës çdo ditë, sipas një agjencie që monitoron trafikun. Ky konsiderohet një nivel shumë i ulët komunikimi mes dy vendeve fqinje që ëndërrojnë të rrisin tregtinë. Megjithatë, zyrtarët në Prishtinë thonë se kjo shifër është e pavërtetë dhe se rreth 10 mijë makina komunikojnë çdo ditë mes Shqipërisë dhe Kosovës. Entuziazmi për më shumë tregti mes shqiptarëve është shtuar, veçanërisht pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, më 17 Shkurt. Shqipëria dhe pjesët shqiptare të Maqedonisë e Malit të Zi duken si tregje natyrale për eksportet e Kosovës. Megjithatë, tregtia mes këtyre vendeve është minimale. Rruga nga Tirana për në Prishtinë shkon 10 orë a më shumë, dhe është shumë e rrezikshme përmes kalimeve të ngushta malore. Nuk ka asnjë hekurudhë që të lidhë dy vendet.

Në vitin 2003, si Shqipëria ashtu edhe Kosova u bënë pjesë e Marrëveshjes për Tregti të Lirë në Europën Qendrore, por duket se një masë e tillë nuk ndikon shumë përballë rrugëve të këqija apo ekonomive të dobëta.

Një konferencë donatorësh e mbështetur nga Banka Botërore dhe BE për rindërtimin e Kosovës synon të tërheqë më shumë se 1 miliardë euro ndihma për dy vitet e ardhshme dhe qeveria e Prishtinës mendon të përdorë një pjesë të këtyre parave për të përmirësuar rrugët e brendshme dhe për të riorientuar sistemin e vjetër rrugor të Jugosllavisë, për të ulur varësinë nga Serbia.

Megjithatë, frika se Serbia do të vendoste embargo ndaj Kosovës rezultoi e kotë. Beogradi e di se ky hap do të çojë në humbje tregu për të.

"Mallrat zëvendësuese (për ato serbe) mund të gjenden në Maqedoni dhe Shqipëri, megjithëse importet nga Shqipëria do të rrisnin koston e transportit e për pasojë çmimet", thotë një grup analizash politike në Prishtinë.

Serbia zë 30% të importeve vjetore të Maqedonisë dhe 40% të importeve të Kosovës.

"Sektori i ndërtimit në Kosovë, i cili gjendet aktualisht në bum, përdor çdo vit rreth 15 milionë euro materiale nga Serbia, kryesisht për shkak se kostot e transportit janë më të ulëta", - shpjegon Shpend Ahmeti, ekonomist. "Më pak se 2% e importeve të Kosovës kanë për origjinë Shqipërinë, ndërsa më pak se 1% hyjnë nga Kukësi", raporton Zyra e OKB-së për Kontrollin Doganor në Prishtinë. Kosova dërgoi 5-10% të eksporteve të veta në Shqipëri gjatë viteve të fundit.

Aktualisht, të dyja ekonomitë - të nën-industrializuara dhe me deficite tregtare - ofrojnë shumë pak për të shkëmbyer me njëra-tjetrën, shpjegojnë ekonomistët. "Shqipëria nuk eksporton shumë. Ne nuk eksportojmë shumë",- thotë Ahmeti. "Nëse këto dy vende nuk bëhen më prodhuese, çfarë mund të tregtojmë?".

Një pjesë e tregtisë ndërkufitare kryhet në përmasa të vogla dhe në mënyrë gjysmë-ilegale. Por tregtia rajonale mund të ndryshojë shpejt për shkak se Shqipëria po investon qindra-milionë dollarë në një autostradë të re, që do të lidhë Kosovën me Portin e Durrësit.

Autostrada Durrës-Prizren-Prishtinë mund të përfundojë në fund të vitit të ardhshëm dhe i gjithë udhëtimi mund të zgjasë pak më shumë se 3 orë. Edhe Serbia po ndërton autostrada të reja që do të lidhin Kosovën me rrjetin rrugor europian.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›