E Shtunë, 31 Tetor 2026

Letër NY Times: Berisha dhe i biri, jo në shitjen e armëve

 

Përfaqësuesi Shqipërisë në OKB ngatërron shitjen e municioneve me dërgimin e trupave shqiptare në Afganistan

TIRANË- Pas deklaratave të guximshme të kryeministrit Berisha pak ditë më parë në parlament duke cilësuar një nga gazetat më të mëdha të botës, NY Times, si një letër higjienike, qeveria detyron përfaqësuesin e saj të ankohet sërish. Këtë herë ankesa është më e butë dhe e fshehur nën petkun e bashkëpunimit dhe ndihmës tepër të madhe që shteti shqiptar, dhe më saktësisht ushtria jonë, po i jep NATO-s dhe ushtrisë amerikane në luftën globale kundër terrorit. Përfaqësuesi i Përhershëm i Shqipërisë në Kombet e Bashkuara, z. Adrian Neritani, i ka dërguar një letër dje NY Times duke i shpjeguar se kryeministri Berisha dhe i biri nuk kanë lidhje në shitjen e municioneve të prishura në Afganistan.

Duke u përpjekur që të mbulojë këtë aferë korruptive, Neritani i shpjegon gazetës amerikanë se qeveria shqiptare është shumë e vendosur në luftën kundër korrupsionit. "Qeveria e Shqipërisë është e vendosur në luftën kundër korrupsionit dhe është plotësisht e vendosur të ndihmojë NATO-n në Afganistan. Për këtë ne kemi filluar një hetim rreth akuzave për korrupsion ndaj Agjencisë së Eksportit të Armëve në Shqipëri, si dhe ndaj akuzave se Shqipëria ka furnizuar forcat afgane me armë jashtë standardeve",- thuhet në letrën e Përfaqësuesit të Përhershëm të Shqipërisë në Kombet e Bashkuara, z. Adrian Neritani. Por në kundërshtim me këtë pohim, prokuroria shqiptare është duke zhvilluar një hetim shumë sipërfaqësor për shpërthimin në Gërdec por jo për shitjen e armëve. Edhe pse dokumentet flasin shumë qartë për një korrupsion të hapur ku qëllimisht është kryer shitja me anë të një sekseri, i cili ka rritur vlerën e mallit në shumën 90 për qind, prokuroria vazhdon të hetojë për shkelje të rregullave të mbajtjes së municionit. 

Neritani i ka cilësuar faktet e paraqitura në shkrimin e NY Times, si akuza të pabazuara për korrupsion kudëshmia e vetme në këtë drejtim, vjen nga një burim i vështirë për t`u besuar. Ky burim i vështirë për t'u besuar është në të vërtetë një regjistrim audio i bisedave telefonike. "Ne hedhim poshtë akuzat e hedhura në këtë bisedë pasi as Kryeministri, as djali i tij nuk janë të përfshirë në procesin e prokurimit të asnjë ministrie, përfshirë edhe Ministrinë e Mbrojtjes",- thuhet në letër duke iu hedhur i gjithë faji zyrtarëve të Ministrisë së Mbrojtjes. Më pas Përfaqësuesi i Përhershëm i Shqipërisë në Kombet e Bashkuara, Adrian Neritani, përpiqet që të justifikojë veprimet e qeverisë shqiptare duke treguar se ne jemi një popull që kemi njohur tiraninë gjatë regjimit komunist, dhe për këtë arsye ne jemi të vendosur për promovimin e lirisë dhe demokracisë në të gjithë botën. "Forcat Shqiptare sot janë të angazhuara në misionet paqeruajtëse në Afganistan. Ne jemi të gatshëm të dërgojmë më tepër trupa atje nëse është e nevojshme",- thotë Neritani. Por faktet e publikuara në NY Times nuk kanë aspak të bëjnë me dëshirën apo jo të Shqipërisë për të dërguar trupa në Afganistan. Ato kanë të bëjnë vetëm me faktin që i janë shituar municione të vjetra dhe të prishura forcave në Afganistan duke përdorur praktika korruptime nëpërmjet sekserëve të cilësuar nga të gjitha agjencitë e botës si trafikantë armësh. "Qeveria e Shqipërisë është tërësisht e angazhuar për transparencë. Përveç kësaj të gjitha dokumentet përkatës që lidhen me këtë çështje dhe të gjitha gjetjet nga hetimet do të bëhen publike. Ne jemi të bindur se kur të jetë bërë kjo, do të provohet se akuzat janë të pabaza",- thuhet në fund të letrës së Adrian Neritanit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›