Bulqizë, çmimi i kromit nxjerr në rrugë 300 vetë
BULQIZE/ HASAN PASHA
Rënia e çmimit të kromit në tregun ndërkombëtar ka ndikuar në jetën e banorëve të Bulqizës dhe të ardhurat e subjekteve privatë të licencuara për nxjerrjen e këtij minerali. Banorët e Bulqizës që nuk kanë pasur mundësi të punësohen në minierën kryesore janë detyruar të punojnë në firmat e vogla private, të cilat kanë siguruar leje shfrytëzimi në galeri ose sipërfaqe. Nëse një vit më parë një ton krom shitej me 600 dollarë, aktualisht shitet me më pak se 150 dollarë, madje nuk gjen treg shitjeje as brenda dhe as jashtë vendit. Të paktën 300 punonjës që nga fillimi i këtij viti, në minierat e Bulqizës, kanë mbetur të papunë, për shkak të zvogëlimit të kërkesës së kompanive koncesionare për mineral kromi. Bulqiza është një nga burimet më të pasura të kromit në botë dhe aktualisht është dhënë me koncesion me pjesë të ndryshme për llogari të 22 shoqërive private vendëse dhe të huaja. Llogaritet që në të gjitha këto shoqëri nxjerrëse dhe seleksionues kromi në galeri dhe stoqe, gjatë vitit të kaluar kanë punuar gjithsej mbi 300 punonjës, përfshi edhe gra dhe fëmijë nën moshë. Nisur edhe nga koniunktura e çmimit të mineralit që për vitin e kaluar ka qenë shumë e favorshme, pagesa për këta punonjës ka qenë e mirë. Me paratë që ata fitonin, shlyen detyrimet në pikat e shitjes së qytetit, duke u paguar borxhet në dyqanet e qytetit. Por, një situatë e tillë nuk vazhdoi gjatë për ta, pasi me fillimin e këtij viti, në kuadër të krizës globale, ulja e kërkesës dhe çmimit të blerjes së kromit, çoi në mbylljen e këtyre shoqërive private krom-nxjerrëse. Kështu, nga 22 shoqëri që veprojnë vetëm në Bulqizë, në mesin e muajit shkurt të këtij viti, mbyllën aktivitetin 18 prej tyre dhe vetëm 4 mbijetuan, duke e vazhduar punën, por edhe ato me fuqi punëtore të reduktuar. Specialistë menaxherë të minierave pohojnë për një rënie drastike të kërkesë-ofertës për krom në tregjet ndërkombëtare, ku aktualisht 1 ton krom shitet me 120 dollarë nga rreth 600 dollarë që shitej në vitin e kaluar. Asnjëra nga këto shoqëri nuk është në gjendje të rinisë aktivitetin për mungesë të fuqisë paguese për punëtorët, pasi me këtë çmim aktual shitjeje, kostoja e nxjerrjes së kromit mbetet shumë e lartë. Shpresat se në mesin e këtij viti situata në industrinë e nxjerrjes së mineraleve do të ndryshonte pozitivisht, duket se tashmë janë shuar, pasi nuk shihet asnjë lloj përmirësimi. Duke marrë parasysh se në qytetin minator të Bulqizës e vetmja mundësi jetese për banorët mbetet nxjerrja e kromit, familjeve të varfra të qytetit u shtohen edhe 300 të tjera.