E Shtunë, 31 Tetor 2026

Panik në Kukës, flakët e zjarrit përpijnë ndërtesën trekatëshe

 

KUKES - Një zjarr i fuqishëm ka përfshirë një ndërtesë trekatëshe në hyrje të tregut në qytetin e Kukësit. Flakët kanë përfshirë ndërtesën në pak minuta dhe re të mëdha tymi janë parë në këtë zonë tejet të banuar, duke alarmuar banorët si dhe kalimtarët apo klientët e kësaj njësie shërbimi. Menjëherë është lajmëruar policia dhe zjarrfikëset, të cilët kanë mbërritur në pak minuta në vendngjarje. Në ndihmë të tyre kanë ardhur dhe banorët e shumtë, të cilët kanë hedhur kova me ujë por dhe kanë zbrazur dhomat e shtëpisë nga orenditë. Pak minuta më vonë kanë mbërritur dhe zjarrfikëset e tunelit të Kalimashit. Flakët kanë mbërritur deri në katin e tretë të vilës, por dëme të shumta ka pasur në katin e parë të saj. Ambientet e vilës ishin dhënë me qira tregtarëve, të cilët katin e parë dhe oborrin e kishin shndërruar në një shesh shitjeje për tapete, batanije, sfungjerë dhe gjëra të tjera. Pas gjysmë ore luftë me flakët zjarri është shuar duke mos shënuar viktima apo të plagosur, por dëme të shumta materiale tregtarëve që ushtronin aktivitet tregtar prej vitesh. Një grup hetimor po heton rreth shkaqeve të rënies së zjarrit. Fillimisht u mendua të ketë rënë zjarri në një nga dhomat magazinë të katit të parë nga një shkëndijë elektrike, megjithatë hetimet për shkakun e vërtetë vazhdojnë.                j.h

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›