E Diel, 1 Nëntor 2026

Tomorri, mali ku u lutën 50 mijë pelegrinë

 

SKRAPAR/ DILAVER XHELILI

Në këto ditë feste mbi 50 mijë pelegrinë, që nga Tropoja e Kukësi, nga Kosova e Maqedonia, nga Vlora e Saranda, e padyshim, nga Skrapari, që e ka pronën e tij Malin e Tomorrit “pushtuan” këtë mal të shenjtë
Mbi 50 mijë pelegrinë iu ngjitën malit që ndodhet 2416 metra mbi nivelin e detit. Por nëse duhet të shkosh në festën e Abaz Aliut, kjo nuk mund të ketë kuptim pa flijimin e qengjit, ccka sipas besimtarëve do të thotë mbarësi për tërë vitin. Një veçori tjetër është edhe lyerja e ballit të pelegrinit me gjakun e kurbanit të flijuar për nder të klerikut. Megjithatë, nuk mbarojnë këtu ritet e kësaj feste, e cila zgjat pesë ditë e që shoqërohet edhe me hedhjen e lekëve apo sendeve të tjera nga besimtarët mbi varrin e Baba Tomorrit, mbi varrin e klerikut Iljaz Dervishi dhe mbi varrin e klerikut Abaz Aliu, emrin e të cilit mban edhe kjo festë shekullore. Sipas besimtarëve bektashianë, marrja e qirinjve të shkrirë dhe e dheut, i cili ndodhet në vendin ku prehen klerikët bektashinj, sjell mbarësi përgjatë gjithë vitit kalendarik. Pelegrinët e ardhur nga e gjithë Shqipëria, por edhe nga jashtë kufijve të vendit kanë ngritur çadrat e tyre në këtë vend të shenjtë dhe kanë qëndruar në malin e Tomorrit për ditë me radhë, duke kryer jo vetëm kurbanin, por edhe vizituar vendet e shenjta të kësaj maje të thepisur mali. Ata kanë kryer të gjitha ritet e besimit bektashian, nga të cilat besojnë se do t’i vijnë gjithmonë mirësi. Maja e Kulmakut, në malin e Tomorrit, sipas besimtarëve, është një vend i shenjtë. Thuhet se për të pasur mirësi në familjet e tyre çdo besimtar bektashian duhet të vijë në Malin e Tomorrit për 3 vite me radhë, duke bërë kurban e duke iu falur perëndive të tyre: Baba Tomorrit e Abaz Aliut. Pelegrinët shijojnë edhe bukuri të rralla të natyrës për të shkuar gjer në malin e shenjtë. Në rrugën që nga qyteti i Çorovodës i bie që të ndjekësh rrjedhën e lumit, por në krah të kundërt. Male të thepisura dhe një grykë me emrin e Dëvrisë, ku edhe në pikun e verës ke ftohtë. Makinat varg-varg të tregojnë sikur je në ndonjë marshim të organizuar. Secili e di rrugën e vet. E di kurbanin e vet. E di sa lekë do të bëjë fli dhe se për kë do të lutet kur të mbërrijë tek vendi i shenjtë. Në malin e thepisur një tufë delesh të presin rrugën. Edhe ato të kujtojnë se janë gati për kurban. Më pas vjen teqeja e famshme. Këtu duhet të ngjitesh patjetër, që bekimi të përmbushet. Dhe pas ritualit, njerëzit gëzojnë të kalojnë këtu një natë. Çadrat janë hapur tej e ndanë fushës dhe njerëzit i gëzojnë mirë kësaj nate vere në një mal të shenjtë. Festa e Kulmakut çdo vit bën kurban, por ky vit ka qenë i veçantë për barinjtë dhe kasapët. Ata janë përballur me një fluks të madh pelegrinësh. Mësohet se në këto pesë ditë janë bërë kurban rreth 6 mijë kokë bagëti. Çobani Artan Veleshnja u shpreh se turistët e huaj e kanë shijuar më së shumti mishin e pjekur në hell. “Përveç konsumimit të mishit të deles në këtë vend, në momentin që janë larguar ata kanë kërkuar të marrin mish të pjekur edhe me vete”, u shpreh Veleshnja. Burime nga zyra Turistike rajonale e Beratit bënë të ditur se 500 turistë të huaj kanë marrë pjesë në festën e Kulmakut. Më të shumtët ishin nga vende të tilla Gjermania, Italia, Anglia etj.

Lutjet në Teqenë e Kulmakut
Tomorri është vendi që luten njerëzit, një pikë e pelegrinazhit ku thuhet se në vitet 1600 ai filloi të bëhet simboli kryesor i bektashinjve shqiptarë. Sipas një etimologjie popullore, Tomorr do të thotë “Mali i të mirëve”, ndërsa cilësohet si vendi ku shqiptarët i luteshin perëndive. Pelegrinazhi nis çdo 20 gusht dhe përfundon në 25 gusht, ndërsa falja pasohet nga mishi i pjekur në hell dhe rakia e famshme e Skraparit. Çdo vizitor lutet fillimisht pranë Teqesë së Kulmakut dhe më pas në shenjë mirësie bën një kurban.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›