E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prokurori-Gjykatë, “sherr” për lirimin e Arjan Kanes

 

Fatos Mahmutaj

Arjan Kane, biznesmeni fierak i arrestuar me akuzën e trafikimit të femrave për prostitucion, ka mbetur në qeli pasi çështja e lirimit të tij është bërë objekt i një “përplasje” Gjykatë-Prokurori. I dënuari ka kërkuar në gjykatë interpretimin e vendimit të dënimit duke llogaritur 50 për qind më tepër nga burgimi fizik, kohën që ai ka kaluar nga momenti i arrestimit deri në marrjen e formës së prerë të vendimit. Kërkesëpadia e tij është dorëzuar para togave të zeza pak kohë më parë, ndërsa janë zhvilluar dy seanca gjyqësore dhe ende nuk ka zgjidhje për këtë rast të paprecedentë për drejtësinë shqiptare. Kane u dënua më 28 korrik të këtij viti me dy vjet burg nga Gjykata e Krimeve të Rënda, ndërsa pretendon se këtë dënim, i cili ende nuk ka marrë formë të prerë, e ka shlyer me kohën e paraburgimit që ka kaluar. Sipas tij, nëse llogaritet sipas ligjit, çdo ditë fizike e kaluar në qeli me një ditë e gjysmë, atëherë ai e ka shlyer dënimin. Por prokuroria që e ka kundërshtuar këtë, duke pretenduar se Kane është arrestuar ndërsa kishte marrë një dënim të formës së prerë me 18 vjet burg. Ai është dërguar për ta vuajtur këtë dënim, por pak kohë më vonë Gjykata e Lartë e ka prishur çështjen dhe e ka rikthyer për gjykim në Shkallë të Parë. Sipas Kanes, nisur nga kjo arsye gjithë koha e kaluar në qeli nga ai duhet të konsiderohet paraburgim dhe për efekt të vuajtjes së dënimit duhet të llogaritet me 50 për qind më tepër. Në interpretim të Kodit të Procedurës Penale për këtë rast, Prokuroria e Krimeve të Rënda pas marrjes së formës së prerë të vendimit, për shkak të mosapelimit të tij, ka nxjerrë një urdhër ekzekutimi, të cilin ia dërgoi Burgut 302, ku mbahet i dënuari. Sektori juridik i burgut pasi është njohur me dosjen e Prokurorisë ka vërejtur se në të mungonte vendimi i gjykatës, mbi bazën e të cilit do të lirohej biznesmeni fierak. Për këtë shkak zyra juridike e Burgut 302 ka vënë në dijeni Prokurorinë e Krimeve të Rënda, e cila është përgjigjur se vendimi i Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda, i datës 28 korrik 2009, për dënimin me dy vjet burg të Arjan Kanes, kishte marrë formë të prerë. Në këtë mënyrë pasi ai nuk është apeluar nga Prokuroria dhe në përfundim të afatit ka marrë formë të prerë, duke u bërë i detyrueshëm për zbatim. Zyrtarë të Burgut 302 në Tiranë pohuan atëherë se urdhri i Prokurorisë është akt i pamjaftueshëm për lirimin e të burgosurit, i cili mund të dilte nga qelitë vetëm mbi bazën e një vendimi gjykate të formës së prerë. Për këtë shkak, zyra juridike e burgut i ktheu dosjen Prokurorisë së Krimeve të Rënda, duke kërkuar plotësimin e saj me dokumentacionin e nevojshëm ligjor për lirimin e të dënuarit. Ndërkohë, prokuroria pas këtij fakti pohoi se në përfundim të kohës së dënimit të dhënë për qëndrimin në qeli, vetë i dënuari duhet t’i drejtohej gjykatës kompetente për interpretimin e kohës që i ka mbetur në qeli, si dhe për caktimin e momentit të lirimit nga burgu.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›