E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vëllai i Xhindit: Dyshojmë tek hetimi

 

FIER/ MAJLINDA RAMA

Rrëzimi i dy pistave të fundit të mbetura në hetim për vrasjen e deputetit të Partisë Socialiste Fatmir Xhindi nga ana e Prokurorisë së Përgjithshme ka ringjallur pakënaqësi tek familjarët. Këta të fundit të kontaktuar nga gazeta "Panorama" kanë shprehur indinjatën me një revoltë të thellë. Përballë këtij fakti, familjarët e të ndjerit Xhindi kanë thënë se një lëvizje e tillë vendos një njollë të madhe mbi drejtësinë shqiptare. Sipas vëllait të Fatmir Xhindit, Ilir Xhindi, lënia në heshtje e kësaj çështjeje e për më tepër hedhja poshtë e dy pistave më të fundit të dyshuara, tregon papërgjegjshmërinë e shtetit në gjetjen e vrasësit, i cili edhe sot e kësaj dite është i lirë. Ilir Xhindi ka shprehur dyshime jo vetëm për vrasjen, por edhe për mënyrën se si është hetuar. "Jam njohur më të dhënat më të fundit nga prokuroria vetëm nga gazetat, pasi askush nga organi i akuzës nuk na ka kontaktuar asnjëherë dhe në asnjë kohë. Nuk e dinim si mund të rridhnin gjërat. Gjithçka e publikuar sot na lë të dyshojmë se shteti ka dorë në këtë ngjarje. Dyshojmë tek hetimet dhe tek vrasja. Nuk është e mundur që të mbetet pa autor një çështje e tillë. U përfol shumë për vrasjen e vëllait tim dhe u kumtua me të madhe se do të gjendej autori. Tani çështja mbetet si në fillim". Iliri ngre shqetësimin e familjes me disa pyetje retorike: Ku është drejtësia në këtë mes? Ku është shteti që me të madhe kërkoi zbulimin e vrasjes? Përse ky shtet nuk arriti të gjejë vrasësin e një individi, aq më tepër që Fatmiri ishte me imunitet? "Nuk duhet të na lënë me një brengë kaq të madhe dhe të rrezikuar gjithmonë nga vrasja. Duhet të veprojë patjetër ligji për të shmangur vetëgjyqësinë. Ne si familje ia kemi lënë në dorë drejtësisë shqiptare që të hetojë dhe të gjejë vrasësin, shkatërruesin e familjes sonë." Ilir Xhindi, vëllai i deputetit të ndjerë është shprehur se nuk ka asnjë pistë rreth ngjarjes, pikërisht sepse ai dhe familja ia kanë lënë në dorë drejtësisë. "Nuk e kemi vrarë mendjen rreth një piste të mundshme, pasi ia kishim lënë në dorë drejtësisë, por në rast se nuk do të ketë një rezultat imediat, ne do të nisim vetë zbardhjen e çështjes, me të gjitha mënyrat", ka vijuar më tej Xhindi. Fatmir Xhindi, deputeti 49-vjeçar i Partisë Socialiste, u qëllua për vdekje në një atentat të ndodhur mbrëmjen e 2 majit, në vendlindjen e tij në Roskovec. Qindra persona u shoqëruan atëherë nga policia, por asnjë prej tyre nuk u identifikua si personi i dyshuar për kryerjen e krimit. Ashtu siç dështoi dhe pasja e një piste konkrete, për motivet e vrasjes së cilësuar mafioze.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›