Bulqizë, digjet cisterna me solar, alarmohen qytetarët
Në Pukë autore e zjarrit që shkrumboi qindra hektarë me pyje ka qenë një 80-vjeçare, e cila vuan nga probleme mendore
KRASTË Një cisternë që mbante solar është përfshirë dje paradite nga flakët. Ngjarja ka alarmuar banorët e qytetit të Krastës në komunën e Martaneshit, ndërkohë ka vënë në lëvizje autoritetet lokale dhe repartin e zjarrfikësve në Bulqizë. Cisterna qindratonëshe ndodhet vetëm 50 metra larg qendrës së qyteti. Ajo ka shërbyer për dekada me radhë për ngrohjen e dhomave të punëtorëve. Pas vitit 1990 e ka humbur funksionin e saj, por është ruajtur që të mos shkaktojë probleme për jetën dhe shëndetin e banorëve të Krastës. Ashtu si një vit më parë mbi cisternë janë parë shtëllunga tymi. Kjo ka alarmuar qytetarët. Ata i kanë telefonuar policisë dhe drejtuesve të komunës dhe kanë kërkuar ndihmë për shuarjen e zjarrit. Banorët përreth cisternës kanë lënë shtëpitë e banimit dhe kanë ndjekur të shqetësuar çfarë po ndodhte. “Kishim frikë se cisterna mund të shpërthente” - thanë banorët. Sipas tyre, deri para një viti pranë cisternës janë paguar dy punëtorë, të cilët nuk lejonin askënd t’i afrohej asaj. Zjarri ka zgjatur të paktën një orë dhe është shuar pa ndërhyrjen e zjarrfikësve, që mbërritën pas një ore në Krastë. Sipas banorëve, është kërkuar disa herë heqja e kësaj cisterne nga qendra e qytetit, pasi është shumë e rrezikshme për jetën e njerëzve. Herë pas here është premtuar largimi i saj, por kjo nuk ka ndodhur. Policia po heton rreth shkaktarëve të zjarrit, ndërsa drejtuesit e komunës këmbëngulin se ajo duhet larguar nga qyteti.
Ndërkohë, zjarri që shkrumboi disa hektarë pyje në rrethin e Pukës dhe rrezikoi disa banesa ka për autore një 80-vjeçare. Sipas policisë së Pukës, Rabije Hoxha, 80 vjeçe është prangosur si autore e zjarrit në pyjet e fshatrave Xath dhe Kulumri të Pukës. Ndërsa ka sqaruar se 80-vjeçarja vuan nga probleme mendore. Mësohet se Rabije Hoxha ka qenë e dënuar më parë për zjarrvënie dhe një javë më parë kishte tentuar t’i vinte zjarrin dhe banesës se saj. Pas shoqërimit në polici, burime të saj tregojnë se e moshuara ka rrëfyer para forcave të policisë detajet e aktit të kryer, vënies zjarr të pyllit. Ajo ka treguar se kishte dalë e vetme jashtë banesës ku kishte ndezur edhe një cigare. Në një moment asaj i ka shkuar në mendje të provonte atë që kishte dëgjuar, se një cigare e ndezur e hedhur në tokë mund të digjte gjithë pyllin. P.H./D.K.