Shkon për gjah, grabitet nga dy të rinj
Korçë Një ngjarje e pazakontë dhe që e ka trembur jo pak, i ka ndodhur një banori të qytetit të Korçës. I apasionuar pas gjahut, ka preferuar që të dielën ta kalojë në pyjet e Voskopojës, por pa menduar që do të ishte shënjestra si “gjah” e dy qenieve njerëzore. Dy të rinj ende të paidentifikuar nga policia lokale, pasi e kanë ndjekur gjahtarin, i kanë grabitur atij një shumë prej 200 mijë lekësh që ai dispononte me vete. Burime të policisë juglindore bëjnë të ditur për gazetën se Sokrat Kosta nga qyteti i Korçës kishte shkuar për gjueti në Voskopojë, në momentin që është sulmuar dhe kërcënuar nga dy të rinj, të cilët i kanë marrë 200 mijë lekë, të cilat i dëmtuari i kishte me vete. Ngjarja ka ndodhur jo shumë larg qendrës së njohur historike dhe fshatit të sotëm turistik Voskopojë. Kosta ka qenë duke shkuar për gjah me armën e tij në një pyll të zonës, ndërsa është ndjekur nga dy grabitësit, të cilët kanë gjetur momentin e përshtatshëm për të vjedhur gjahtarin, me gjithë se i armatosur ai nuk ka mundur të bëjë dot asgjë. Më pas ata janë larguar, ndërsa argëtimi i gjuetisë është ndërprerë për burrin, i cili i alarmuar është rikthyer sërish në Korçë. I.V.