E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bulqizë, hiqet licenca për “Durici ‘07"

I hiqet licenca subjekti “Duriçi 07”. Vendimi është marrë dje nga kreu i Ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës pas aksidentit të ndodhur pak ditë më parë në minierën e Bulqizës, ku humbi jetën një minator dhe u plagos një tjetër. 

Sipas mjekut ligjor, shkak i aksidentit është asfiksia si pasojë e ndodhjes nën peshën e sterilit të shembur. Në vendngjarje shkuan inspektorët e RISHM-it, të cilët bazuar në rrethanat e ndodhjes së aksidentit, konkluduan se aksidenti ka ndodhur si pasojë e mosrespektimit të rregullave të sigurimit teknik dhe projektit teknik. “Pasi është bërë denoncimi përpara organeve të Drejtësisë nga RISHM-i, ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës ka firmosur heqjen e licencës për këtë subjekt”, kanë deklaruar dje për mediat burime zyrtare pranë ministrisë. Por masat e ndërmarra nga kjo ministri nuk përfundojnë me kaq.
“Duke parë situatën e aksidenteve të përsëritura dhe të mosreagimit të subjekteve për të siguruar kushtet në punë, METE i drejtohet Prokurorisë të jetë e vendosur, duke vënë para përgjegjësisë fajtorët. Gjithashtu ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Genc Ruli, i ka dërguar dje një letër Prokurores së Përgjithshme për t’i kërkuar bashkëpunim të ngushtë me këtë organ, duke i vënë ndërkohë në dispozicion gjithë ekspertizën e nevojshme”, kanë deklaruar burimet zyrtare. Për sa i takon sigurisë teknike në sektorin minerar, aksidentet e kohëve të fundit kanë treguar se edhe në minierat e licencuara ka pasur shkelje flagrante të rregullave të sigurimit teknik në punë. Në fakt, sipas ligjit është detyrë e shoqërive minerare të garantojnë sigurinë në punë. Për këtë, prej disa muajsh RISHM-i dhe AKBN po kryejnë kontrolle të plota në të gjitha minierat e evidentuara me risk, sidomos në zonën e Bulqizës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›