E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kanadezët, 200 milionë USD Investime për gaz e naftë

Investimet e huaja do të dyfishojnë prodhimin vendas të naftës. 

Fabiola Çela

Kështu është shprehur dje ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Genc Ruli, gjatë aktivitetit të organizuar nga kompania kanadeze “Stream Oil & Gas Ltd.”. Kjo kompani ka planifikuar të investojë plot 200 milionë dollarë në fushën e gazit dhe të naftës në Shqipëri. Gjatë takimit të djeshëm, presidenti i kësaj kompanie paraqiti planin e investimit në Shqipëri.
Kompania
Kompania “Stream Oil & Gas Ltd.” është një kompani publike kanadeze, e cila ka lidhur më datë 8 gusht 2007 një marrëveshje hidrokarbure me kompaninë Albpetrol Sh.A për vlerësimin dhe rizhvillimin e zonave të naftës Cakran-Mollaj, Ballsh-Hekal, Gorisht-Kocul dhe gazit të Delvinës bazuar në licencën ekzistuese të Albpetrol-it me Agjencinë Kombëtare të Burimeve Natyrore të Shqipërisë (AKBN). Që të katër marrëveshjet hidrokarbure u ratifikuan nga Këshilli i Ministrave më 23 gusht 2007 dhe hyri në fuqi më 9 shtator 2007. Për të kryer veprimet e duhura dhe përshkruara në këto marrëveshje, kompania “Stream” angazhoi një kapital minimumi prej 4.8 milionë USD gjatë një periudhe 24-mujore për vlerësimin dhe rehabilitimin e puseve korrespondente. Pasi i vlerësoi ato, propozoi tek Albpetrol dhe Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore një plan zhvillimi. Marrëveshjet përfshijnë të drejtën për rizhvillim, prodhim dhe shitje të produkteve të zonave ekzistuese të naftës dhe gazit, duke shfrytëzuar puset dhe infrastrukturën ekzistuese. Licenca 25-vjeçare e prodhimit përfshin variante zgjerimi bazuar në prodhimin e vazhdueshëm ekonomik. “Sproule International Limited” (Canada) ka përgatitur një raport të pavarur për pasuritë shqiptare dhe planin e punës së kompanisë “Stream” në pajtim me kërkesat e legjislaturës kanadeze. Gjatë këtij harku kohor kompania ka përfunduar marrjen në dorëzim të zonës së gazit të Delvinës dhe disa puseve të naftës bruto në zonat Cakran-Mollaj, Ballsh-Hekal dhe Gorisht-Kocul, ka nënshkruar marrëveshje shitjeje të naftës dhe gazit bruto me Albpetrol-in dhe ARMO-në, duke i ofruar atyre naftë dhe gaz bruto etj.
Investimet
Kompania “Stream” ka planifikuar të marrë me qira pajisje të përshtatshme shpimi, të përmirësojë dhe përdorë metoda të nivelit të lartë teknologjik për të vazhduar rehabilitimin e zonave prodhuese. Planet afatgjata përfshijnë gjithashtu studime të mundshme në fushën e zhvillimit të fabrikave të prodhimit të elektricitetit nga gazi i zonës së Delvinës. Kompania “Stream” shpreson të investojë të paktën 200 milionë USD mbi projektet e planifikuara në fushën e energjetikës së Shqipërisë dhe mbi 300 milionë USD për zhvillimin e centraleve elektrike të bazuara në gazin e zonës së Delvinës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›