Bulqizë, humb jetën minatori i bllokuar
Vetëm tre ditë pas rifillimit të punës, miniera e Bulqizës merr jetën e një tjetër minatori. 40 vjeçari Bajram Dalipi është zënë nga masivi i gurëve dhe dherave në një thellësi prej 1 mijë metrash nën tokë, duke humbur jetën në rrethana tragjike.
Fillimisht u njoftua zhdukja e minatorit Dalipi, ndërsa pas hetimeve në vendin e ngjarjes forcat e rendit kanë konfirmuar vdekjen e tij nën thellësitë e galerisë në zonën D.
Sipas burimeve nga policia e Bulqizës, mësohet se galeria në të cilën minatori po punontë për të përfituar mineral kromi ishte private, ndërsa është shembur gjatë paraditës së sotme.
Nga ana tjetër mësohet se zona D në të cilën po kryente punimet minatori, nuk ishte nën administrimin e kompanise konçesionare ACR, një galeri private. Prokuoria ndërkohë ka lëshuar një urdhër arresti për përgjegjësit e sektorit, për shoqërimin e brigadierit, drejtuesin e sigurimit teknik e përfaqësues të tjerë për vdekjen e minatorit Bajram Dalipi.
Ndërkohë, ngjarje të ngjashme janë shënuar muajt e fundit në Bulqizë, ku një minator mbeti i vdekur pas një shpërthimi me gaz metan, ndërsa më vonë një tjetër minator gjeti vdekjen në një galeri të braktisur.