E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vdekjet e foshnjave,40% në muajin e parë

 

Në vendin tonë rreth 40 për qind e vdekjeve të fëmijëve ndodhin në 28 ditët e para të jetës. Këtë dëshmojnë statistikat e Ministrisë së Shëndetësisë. Sipas tyre, vdekshmëria foshnjore në Shqipëri mbetet në më të lartat në Evropë. Aktualisht humbin jetën rreth 15 të porsalindur për 1000 banorë, ndërsa mbetet një synim ende i parealizuar ulja e këtij raporti deri në 10 vdekje për 1000 banorë. Sipas specialistëve në sëmundshmërinë dhe vdekshmërinë e të porsalindurve ndikojnë shumë faktorë si ata socialë, ekonomikë, biologjikë, gjenetikë. Por nuk përjashtohen edhe ata mjekësorë ku përfshihen aftësitë e munguara të bluzave të bardha, mamive, infermiereve e reanimatorëve. Sëmundjet e aparatit të frymëmarrjes janë shkaktari kryesor i vdekjeve të vegjëlve. Meshkujt që humbin jetën, krahasuar me femrat, janë më të shumtë në numër. Pneumonia mbetet ndër më të rrezikshmet prej këtyre sëmundjeve. Rreth 11% e vdekjeve të fëmijëve shkaktohen prej saj. Sipas mjekëve, rastet kur kjo sëmundje neglizhohet nga prindërit janë të shumta. Kjo bën që kur ata sjellin fëmijët e tyre në spital për të marrë trajtim mjekësor, të jetë shumë vonë. Për të kapur në kohë këtë sëmundje fëmijët duhet të çohen te mjeku pediatër menjëherë sapo të shfaqen shenjat e para, si vështirësi në frymëmarrje, kollë e fortë, apo dhimbje në gjoks. Për shfaqjen e pneumonisë ndikon së tepërmi edhe kequshqyerja. Mjekët sqarojnë se kjo gjë ndodh kur organizmi nuk ka imunitetin e duhur për ta përballuar dhe së dyti, mungesa e ushqimit bën që muskujt e aparatit të frymëmarrjes të mos zhvillohen siç duhet, duke u bërë shkak për shfaqjen e saj.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›