E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zjarret nuk ndalen, dje 5 vatra

Dëme të mëdha materiale janë regjistruar nga zjarret e rëna në vend, ku disa vatra u rishfaqën sërish dje. Qyteti i Himarës dhe rajoni Sarandë-Delvinë kanë qenë më të prekurit prej flakëve. 

SARANDE/ HIMARE/ ELBASAN

 Ndërsa në qytetin e Elbasanit u rrezikua nga zjarri fabrika e çimentos, ku pasojat do të ishin shumë herë më të mëdha. Në zonat e thella zjarrfikësit e kanë pasur të vështirë të ndërhyjnë, duke bërë që sipërfaqet e djegura të shtohen. Shtabi i emergjencave në Vlorë raportoi se pas zjarrit të fuqishëm në Himarë të hënën, dje janë shënuar tri vatra të tjera në lartësitë e Vunoit, Pilurit dhe të Dhërmiut, por me intensitet të vogël dhe të parrezikshëm për banesat, duke u djegur vetëm kullota. Gjithashtu në lagjen "1 Maji" të Himarës, në kodrat mes qytetit dhe Pilurit u shfaq një vatër zjarri, për të cilën u angazhuan forca të shumta të policisë e zjarrfikëseve, derisa në mëngjes u finalizua aksioni për shuarjen e tij. Grupi hetimor nisi punën për të identifikuar autorin e zjarrëvënies, i cili dyshohet i qëllimshëm. Sipas policisë, është gjetur emri i të dyshuarit kryesor, i cili akuzohet për shkatërrim të pronës private e publike, duke sjellë për pasojë 60 hektarë tokë të djegur dhe rreth 1000 rrënjë ullinj, shkurre dhe kullotë.
Por zjarret nuk kanë reshtur as në qytetet jugore të vendit. Një vatër e re u shënua dje në fshatin Navaricë të Sarandës, ndërsa në orët e pasdites flakët u shfaqën dhe në fshatin Lefterhorr të Delvinës. Disa orë më vonë u arrit që flakët të vihen nën kontroll, pasi po rrezikonin nga djegia 3 shtëpi dhe lagjen "Kasapaj" të Delvinës. Një avion nga Tirana iu drejtua zonës, duke hedhur ujë nga lartësia, çka solli shuarjen e flakëve në mbrëmje. Rreth 200 rrënjë ullinj, 70 pemë frutore dhe rreth 15 ha sipërfaqe me shkurre dhe barishte janë dëmet e zjarrit të djeshëm. Burime të zjarrfikësve pohojnë se në fshatin Navaricë nuk u arrit të depërtohej, për shkak të terrenit të vështirë. Zjarri ka avancuar me shpejtësi, pasi era e fortë e favorizonte dhe ka djegur 140 rrënjë ullinj, pronë e 4 familjeve të fshatit. Banorët e zonës e cilësojnë zjarrin e rënë në fshatin e tyre, tërësisht të qëllimshëm nga banorë të tjerë të zonës, të cilësuar "lakmitarë".
Alarmues ka qenë dhe zjarri i rënë në Bradashesh të Elbasanit, i cili për pak sa nuk ka përfshirë fabrikën e çimentos. Flakët u konstatuan në një masiv pyjor shumë pranë fabrikës, duke vënë në lëvizje shumë forca policie dhe 3 zjarrfikëse. Temperaturat e larta kanë favorizuar flakët, të cilat ishin duke iu afruar me shpejtësi ambienteve të fabrikës. Në këto momente, policia dhe zjarrfikëset kanë kërkuar ndërhyrjen e ushtrisë, pasi terreni i thyer në masivin pyjor nuk lejonte zjarrfikëset të punonin në vatrat e zjarrit. Pas plot 4 orësh flakët janë neutralizuar plotësisht dhe vatrat e zjarrit janë vënë nën kontroll. Punonjësit e fabrikës së çimentos kanë qenë në gatishmëri për të bashkëpunuar me forcat e zjarrfikëses si dhe me policinë për të shuar flakët e mëdha, që përfshinë një sipërfaqe prej rreth 20 hektarësh. Policia tashmë është duke hetuar për shkaqet e zjarrit dhe deri tani janë shoqëruar për në komisariat disa banorë, por ende nuk janë zbuluar zjarrvënësit dhe shkaqet. Një tjetër zjarr i fuqishëm ka përfshirë fshatin Tërbull, ku si autor është identifikuar një 14-vjeçar, i cili po digjte kullotat.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›