E Shtunë, 31 Tetor 2026

Spitali Ushtarak, pa ilaçe edhe në urgjencë

Analizat në klinikat private, ilaçet me lekë në dorë tek farmacia përballë. Me këtë situatë përballen çdo ditë të sëmurët që drejtohen në Spitalin Ushtarak. 

Zirina Llambro

 Nuk ka asnjë përjashtim. Njësoj trajtohen si civilët ashtu edhe kuadrot që kanë status. Dje në urgjencë serumet ishin të vetmet medikamente, që për fat të mirë siguroheshin me bollëk. Edhe për një qetësues të thjeshtë stomaku duhet të vrapoje në farmaci. Ndërkaq, fluksi i pacientëve është në pikun e tij. Më shumë se 50 persona paraqiten me komplikacione nga vapa, të shumtë në numër janë qytetarët e aksidentuar. Nuk mungojnë çdo ditë as rastet e plagosjeve me armë zjarri, apo thika. Vijnë nga i gjithë vendi. Ushtaraku është i vetmi që përballon rastet e traumave.
Sorollatjet
për t'u shtruar
Për të hapur një kartelë e për të marrë një dhomë në Spitalin Ushtarak duhen ca orë të mira! Ata që e kanë hequr mbi kurriz e dinë mirë se përse bëhet fjalë. Gjithçka nis me urgjencën. Mjekët mes zallamahisë e zhurmës, të japin në dorë rekomandimin për te specialisti. Ndonëse mund të të bjerë të fikët, pasi nuk je aspak mirë fizikisht, duhet të presësh mesatarisht 1 orë në radhë për të bërë vizitën. "Kam që në orën 08:00 këtu dhe akoma nuk kam hyrë të bëj vizitën. Ka ashumë njerëz", tregon një e moshuar në pavijonin e Ortopedisë. Të njëjtin hall kanë dhjetëra pacientë që shtrohen çdo ditë. Mëngjesi ikën, më në fund mjeku ortoped, gastrolog, apo edhe i ndonjë shërbimi tjetër të bën vizitën. "Duhet të hapësh kartelën te urgjenca, pastaj do vish prapë në pavijon. Pacienti të ulet në karrige se, nuk i paska punët mirë dhe të presë. Ju si familjarë merruni me këtë punë", të ftillon mjeku specialist. Me letrat që të ka dhënë nisesh sërish në urgjencë. "Sa doli ajo zonja që hap kartelat, mund ta prisni, nuk vonohet shumë. Ja këtu e ka derën", përpiqet të të ndihmojë një infermiere. Kalojnë 20 minuta, një gjysmë ore. Nuk vjen askush. Pasi durimi të është sosur tek mendon se, i afërmi pret i ulur në karrige në piskun e vapës, afrohet një zonjë e rrumbullakët. Ajo do të merret me kartelën. Nuk ke asnjë shans t'i kërkosh llogari për vonesën. " Njerëz të gjallë jemi, ha bukë ti apo s'ha, gjysmë ore u vonova s'u bë nami", të përgjigjet pa e vrarë mendjen. Mbarojmë edhe këtu. Në pavijon duhet t'i gjesh anën kryeinfermieres që cakton dhomën. Po nuk i pëlqeve, të degdis ku t'i dojë qejfi. Në mesditë, pasi të ka dalë shkuma që në pikë të mëngjesit më në fund je i shtruar në Spitalin Ushtarak. E njëjta procedurë, për pleq, fëmijë oficerë e civilë. S'ka përjashtime.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›