E Shtunë, 31 Tetor 2026

Durrës, shtohet numri në konvaleshencë

Është thuajse trefishuar numri i banorëve të zonave të rrezikuara nga shpërthimet, që janë strehuar në qendrën kryesore të pritjes në Durrës. Një valë e re njerëzish të evakuuar ka mbërritur në dyert e Shtëpisë së Pushimit të Ministrisë së Brendshme, gjatë orëve të fundit, ndërsa dukej se shumica e të strehuarve të parë do të ktheheshin pranë banesave të tyre. Drejtori i Shtëpisë, Muzli Shala, tha për gazetën se numri i të strehuarve ka arritur në 170, por ai pritet të ndryshojë gjatë orëve në vazhdim. "Disa kanë ikur, por shumë të tjerë kanë ardhur", tha Shala. Ndërkohë pranë të evakuuarve kanë mbërritur ndihmat e para nga individë dhe shoqata humanitare. "Mission Without Borders", organizatë humanitare në Durrës ka dërguar pranë tyre një sasi të konsiderueshme veshjesh dhe këpucësh të reja, për të rritur dhe fëmijë, batanije, si dhe lodra për të vegjëlit, duke plotësuar nevojat e para të njerëzve që lanë shtëpitë, duke marrë me vete vetëm rrobat e trupit. Të tjerë kanë kontribuuar në lehtësimin e situatës për ta. Situata në të cilën ndodhen të evakuuarit nga fshatrat Gërdec, Marikaj, Kareç, Maminas etj., të kujtojnë periudhën e krizës kosovare. Gjithçka duket se është përsëritur 10 vjet më vonë. Ndryshon vetëm tragjedia e përjetuar, lloji dhe rrethanat e saj. Nuk ndryshon trauma që kanë pësuar të shpërngulurit, as problemet me të cilat po përballen. Shtëpitë e lëna pas, të shkatërruara dhe në mëshirë të fatit. Ata vetë kanë bërë analogji me atë periudhë. "Tani e kuptojmë ç‘hoqën kosovarët atëherë, kur erdhën në Shqipëri dhe lanë pas gjithçka të shkatërruar dhe u futën në kampe. Tani, po që e dimë", thotë Anife Krasniqi, nga fshati Gërdec. Ajo, së bashku me shumë të tjerë nga fshati ku ndodhi tragjedia, është strehuar natën e së hënës në ambientet e Shtëpisë së Pushimit në Plazhin e Durrësit. Së bashku me familjen, ishte strehuar në Manzë te disa njerëz të bashkëshortit, deri kur morën vesh se në dispozicion të tyre ishin vënë ambiente në Durrës. Anifja, ndërsa mban në krahë Emiljanin 8 muajsh, tregon për orën e tmerrit. E goditur nga vala e nxehtë, trupi i saj u përfshi nga flakët. "Ishte vjehrra ime që ma hoqi trikon që mbaja veshur nga trupi dhe ashtu gjysmë e zhveshur kam dalë në rrugë. Kush pyeti, vetëm të shpëtonim kokat. Pas ngelën shtëpitë tona të shkatërruara, të pabanueshme. Trikon që mbaj ma dhanë më pas", tregon ajo. Rrëfimet e banorëve të Gërdecit janë të gjitha rrëqethëse. Trauma ka zënë vend te ta. Ajo së bashku me 19 familjarë që mbajnë të gjithë mbiemrin Krasniqi, u vendosën në fshatin Gërdec 8 vjet më parë. Janë të ardhur nga Kukësi. Ndërtuan shtëpitë e tyre aty, por tani nuk i kanë më. Me të evakuuarit e tjerë thuajse nuk flasin për përvojën tragjike që kaluan, po kur i pyet të gjithë flasin, duan të nxjerrin jashtë ato ngjarje të zeza që u kthyen mbrapsht jetën e që nuk dinë se si do të përfundojnë. Shprehen dyshues për vizitat e shtetarëve dhe politikanëve të lartë. I akuzojnë si fajtorë të asaj që ndodhi, pavarësisht e kujt është përgjegjësia e drejtpërdrejtë për shpërthimin. "Ata e dinin ç‘po ndodhte atje në fshatin tonë", thonë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›