E Shtunë, 31 Tetor 2026

Një fabrikë si e Gërdecit, edhe në Romanat të Durrësit

Tragjedia e Gërdecit ka sjellë frikë dhe panik në Romanat të Durrësit. Prania e depove të vjetra të armatimit dhe rreziku që mbartin për popullatën e zonës ka krijuar një situatë alarmi te banorët e Romanatit dhe fshatrave përreth që ndjehen të rrezikuar. Janë shtatë objekte të hershme ushtarake në një depo armatimi në këtë fshat, të cilat janë riaktivizuar, ndërsa shtëpitë e banorëve vetë 60-100 metra larg tyre. Të alarmuar për rrezikun që mbartin depot për familjet dhe pasuritë e tyre, banorët tregojnë se gjatë vitit 1997, atëherë kur më shumë se kurrë shteti ishte inekzistent, ata vetë morën në mbrojtje depot ushtarake për të shmangur pakujdesitë që mund të sillnin katastrofën. Ata thonë se që prej një viti, depot me vendim të Ministrisë së Mbrojtjes, i kanë kaluar një kompanie private, e cila sipas burimeve nga brenda depos, është e njëjtë me atë të Gërdecit. Që prej asaj kohe, thuajse çdo ditë në këtë zonë mbërrijnë kamionë me municione, të cilat shkarkohen aty në prani të oficerëve ushtarakë. Në këtë territor ndodhen dhe shumë mjete luftarake që janë të dukshme në distancë. Prania e municioneve ka ngjallur frikë te banorët e fshatrave Romanat, Shetel, Pjezë dhe Gjepalaj. Edhe këtu, ashtu si në Gërdec, ka të punësuar civilë. Sipas Sami Tushës, një ish-punonjës i depos që punonte në detyrën e rojës, aty ndodhen municione të ndryshme luftarake, të cilat ruhen në kushte jo të mira.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›