E Shtunë, 31 Tetor 2026

NATO: Gërdeci nuk do ndikojë

• Shpërthimi i Gërdecit nuk do të ndikojë në vendimin për marrjen e ftesës për në NATO nga Shqipëria.

Këtë e bëri të ditur dje zëdhënësi i NATO-s, Xhejms Apaturaj, gjatë një interviste për TV Klan. I pyetur lidhur me tragjedinë e 15 marsit dhe mundësinë që krerët e 26 vendeve anëtare të NATO-s të ndikohen nga kjo ngjarje, zëdhënësi i Aleancës u shpreh se NATO ka pasur disa bashkëfinancime me Shqipërinë për shkatërrimin e municioneve të padëshirueshme, teksa nuk beson se në votën e 3 prillit do të merret parasysh ky shpërthim, që gjithsesi është konsideruar si tepër tragjik. "Ne jemi të mirinformuar për incidentin, megjithëse NATO nuk kishte lidhje me atë proces. Më parë kemi pasur në NATO bashkëfinancime për shkatërrimin e municioneve të padëshiruara në Shqipëri. Dhe ato dy procese janë mbyllur. I fundit ka qenë në vitin e kaluar. Ne jemi në dijeni me sfidat që përballet Shqipëria, kur bëhet fjalë për zhdukjen e municioneve të vjetra dhe në të kaluarën kemi kontribuar për këtë", tha Apaturaj. Sipas tij, "mendoj se opinioni publik duhet të jetë i qetë për këtë çështje, pasi nuk mendoj se krerët e shteteve dhe qeverive anëtare të NATO-s marrin vendime të mëdha strategjike të bazuara në një incident të pranuar si tepër tragjik. Unë madje do të shtoja se vendet e NATO-s me asistencën e Aleancës në këtë organizatë janë përpjekur të japin ndihmë pas këtij incidenti".
Ftesa individuale
Zëdhënësi i NATO-s bëri të ditur gjithashtu se procesi i vlerësimit të reformave të secilit prej tre vendeve të Kartës Adriatik 3 do të jetë individual. I pyetur për mundësinë e mosmarrjes së ftesës nga ana e Shqipërisë për shkak të problemeve të ndonjë vendi fqinj, Apaturaj u shpreh se, "secili vend gjykohet mbi meritat individuale dhe ky mendoj se është parimi që do të ndjekin krerët e shteteve dhe qeverive në momentin që do të marrin vendimin e tyre". Por kur u pyet konkretisht për rrezikun që paraqet Maqedonia, për shkak të problemeve me emrin me Greqinë, Apaturaj tha se "nuk jam në pozicionin për të dhënë mendimin e shumicës apo të pakicës. Por diskutimi për të shpërndarë apo jo ftesa është shumë i gjallë mes krerëve të shteteve, qeverive dhe kryeqyteteve. Por parimi ynë ka qenë që vende të veçanta gjykohen mbi merita individuale". Në të njëjtën kohë zëdhënësi i NATO-s i bëri thirrje tre vendeve të A3 që të vazhdojnë me reformat, pasi siç u shpreh ai vetëm një moment i ngecjes së reformave bën që të bëhen hapa mbrapa. "Është një proces që nuk mbaron kurrë. Nëse dikush ndalet, atëherë lihet pas shumë shpejt. Ky është një parim shumë i rëndësishëm që duhet ta dinë, pasi nuk duhet të kthehesh mbrapa, por vetëm të ecin përpara", theksoi zëdhënësi i NATO-s.

Bush: Mbështes A3 për në NATO
Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Xhorxh Bush, ka konfirmuar sërish dy ditë para nisjes së punimeve të Samitit të NATO-s, marrjen e ftesave nga tre vendet e Kartës Adriatik 3, Shqipëria, Kroacia dhe Maqedonia. Në një intervistë për gazetën gjermane "Die weld", pak para nisjes për një vizitë në Ukrainë, kreu i Shtëpisë së Bardhë u shpreh se është i bindur se çdo gjë po ndodh në kohën e duhur. "Mbështes me bindje hyrjen e tyre në NATO", theksoi Bush në këtë intervistë. Një ditë më parë ishte Sekretarja amerikane e Shtetit,
Kondolesa Rajs, e cila bëri thirrje për marrjen
e ftesës nga ana e tre vendeve.

Axhenda

Delegacioni shqiptar do të përbëhet nga Presidenti Topi, Kryeministri Berisha, ministri i Jashtëm, Basha, ministri i Mbrojtjes, Oketa, ambasadori në NATO, Kuko, kryetari i grupit parlamentar të PD-së, Astrit Patozi, kryetarja e grupit parlamentar të PS-së, Valentina Leskaj.

2 prill/ Delegacioni shqiptar, i cili do të udhëtojë i ndarë, do të pritet në Bukuresht nga ambasadori në NATO, Artur Kuko, ambasadori në Rumani, Dashnor Dervishi dhe drejtori i Protokollit të Shtetit, Kastriot Robo.
Ora 19:00/ Pjesëmarrje në veprimtarinë kulturore të organizuar nga Kryeministri i Rumanisë, Tariceanu në Pallatin Athenaeum. Në darkë janë të ftuar presidentët dhe kryeministrat e vendeve jo anëtare të NATO-s së bashku me bashkëshortet. Nga pala shqiptare do të marrin pjesë: Presidenti Bamir Topi dhe Zonja e Parë si dhe Kryeministri Berisha dhe zonja Berisha.

3 prill/ Ora 10:00/ Pjesëmarrja e kryeministrit në panelin e organizuar nga Këshilli i Atlantikut të SHBA-së për aleancistët e rinj.
Ora 11:30/ Pjesëmarrje në pallatin e Samitit. Formati i këtij takimi do të jetë 2+5 ose 2+7. Nga pala shqiptare do të marrin pjesë Presidenti Topi, Kryeministri Berisha, ministri i Jashtëm, Basha, ministri i Mbrojtjes, Oketa, ambasadori në NATO, Kuko, kryetari i grupit të PD-së, Patozi dhe kryetarja e grupit të PS-së, Leskaj.
Ora 13:10/ Drekë pune me krerët e shteteve dhe përfaqësuesit e lartë të NATO-s në sallën Rustic/Pallati i Parlamentit. Do marrin pjesë ministri i Jashtëm, Basha, shefi i kabinetit të kryeministrit, Arben Imami, koordinatori kombëtar për NATO-n, Glori Husi. Fjalimi hapës i Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s.
Ora 15:00/ Foto zyrtare e krerëve të shteteve. Do marrin pjesë Presidenti Topi dhe Kryeministri Berisha.
Ora 19:00/ Mbërritja e delegacionit në Athenaeum. Ceremoni kulturore e organizuar nga Presidenti i Rumanisë për krerët e shteteve dhe zonjat. Marrin pjesë Presidenti Topi dhe Zonja e Parë, Kryeministri Berisha dhe zonja Berisha, ministri Basha, ministri Oketa dhe ambasadori Kuko.
Ora 21:00/ Pjesëmarrje e Kryeministrit dhe zonjës Berisha në pritjen në hotel "Hilton" (Le Diplomate) dhënë nga presidenti rumun. Merr pjesë edhe Presidenti Topi dhe Zonja e Parë.

4 prill/ Ora 13:00/ Drekë pune te salla e Samitit të NATO-s.
Ora 20:55/ Largimi nga aeroporti Otopeni/Bukuresht.

Axhenda, Sheffer do zyrtarizojë ftesat

Data 3 prill fokusohet në çështjet më të rëndësishme të Samitit të Bukureshtit. Aktivitetet zyrtare të kësaj dite, do të nisin me një drekë pune për presidentët dhe kryeministrat e vendeve pjesëmarrëse. Përveç diskutimit për Afganistanin, i cili do të jetë temë e sesionit hapës të Samitit, në orën 15:30 do të nisë sesioni që do të vendosë për ftesën drejtuar Shqipërisë, Kroacisë dhe Maqedonisë. Do të jetë konferenca e shtypit e orës 17:55 e Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Scheffer, që do të publikojë zyrtarisht përfundimet e këtij sesioni. Pas aktiviteteve zyrtare të Samitit, Bukureshti ka parashikuar dhe një sërë takimesh në nivel presidentësh dhe kryeministrash nga krerët e shtetit rumun me aktivitete kulturore, por dhe pritje zyrtare të nivelit të lartë në hotel Hilton nga Presidenti rumun. Samiti i Bukureshtit, i cili vjen pas atij të Rigës, në vitin 2006, do të ketë një përfaqësim mjaft të lartë të personaliteteve të vendeve anëtare dhe atyre aspirante. Rreth 50 kryetarë shtetesh apo kryeministra do të jenë prezentë në takimet që do të jenë vendimtare për të ardhmen e sigurisë edhe për Afganistanin, Ukrainën dhe Gjeorgjinë. Gjithashtu do të jenë rreth 3 mijë zyrtarë të lartë që do të marrin pjesë në këtë samit, i cili do të ndiqet nga një numër rekord i përfaqësuesve të medias, rreth 3500 gazetarë. Për të siguruar punimet e këtij samiti do të angazhohen rreth 35 mijë pjesëtarë të policisë dhe ushtrisë. Në të njëjtën kohë edhe delegacioni shqiptar i përbërë nga krerët më të lartë të shtetit, pritet të kenë një axhendë tejet të ngjeshur në tre ditët e qëndrimit në Bukuresht. Megjithëse do të niset veç njëri-tjetrit nga aeroporti i Rinasit, Presidenti Topi dhe  Kryeministri Berisha së bashku me zonjat, do të jenë bashkë nesër në orën 19:00 në një veprimtari kulturore që do të organizohet nga Kryeministri rumun Tariceanu në pallatin Athenaeum. Dita më e ngjeshur pritet të jetë ajo e së enjtes kur në orën 11:30 delegacioni i përbërë nga kreu i shtetit Topi, kreu i qeverisë Berisha, ministrat Basha e Oketa si dhe kryetarët e dy grupeve parlamentare Patozi e Leskaj të jenë të pranishëm në pallatin e Samitit ku do të zhvillohet takimi me palën e aleancës. Ndërkohë në drekën e orës 13:10 me krerët e shteteve dhe përfaqësuesit e lartë të NATO-s do të jenë ministri i Jashtëm, Basha, shefi i kabinetit të kryeministrit, Arben Imami, koordinatori kombëtar për NATO-n, Glori Husi. Fjalimi hapës i Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s. Ndërkohë në datën 4, dita e fundit e samitit pritet të zhvillohet një drekë pune në sallën e NATO-s dhe më pas përfaqësuesit më të lartë të shtetit do të vijnë në Tiranë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›