E Diel, 1 Nëntor 2026

Prokuroria zbulon grabitjet e policit mashtrues

Kishte siguruar një uniformë policie, një radiomarrëse si dhe një palë pranga që i mbante në brez. Shkonte atje ku kishte hallexhinj dhe nëpërmjet mashtrimit i grabiste, duke i marrë sendet me vlerë që kishin me vetë. Prokuroria e Tiranës tha dje se ka mbaruar hetimet për Genci Qolin nën akuzën e mashtrimit në 12 raste. Hetimi është realizuar në bashkëpunim me SHKB-në dhe me Policinë e Tiranës. Sipas dosjes që ka shkuar në Gjykatën e Tiranës, shtetasi Genci Qoli, ka kryer mashtrimin e dhjetëra shtetasve, të cilët i zgjidhte me kujdes, njerëz hallexhinj, që ndodheshin nëpër institucione të ndryshme për hallet e tyre, ose duke u nisur për në Greqi, në stacionet e autobusëve e furgonëve, ku pasi prezantohet si punonjës policie në sektorë të ndryshëm të saj, duke "imituar" dhe mjetet policore, pasi i kontrollonte, iu merrte atyre shuma të konsiderueshme në lekë dhe euro, e njëkohësisht edhe sendet personale. Më pas largohej menjëherë. Në bazë të një hetimi të mirorganizuar, në të gjitha rastet e këtyre mashtrimeve ai përdorte të njëjtin mekanizëm. Konkretisht, ai prezantohej si punonjës policie i Drejtorisë së Policisë së Qarkut të Tiranës, herë si shef i krimit ekonomik e herë si specialist krimesh, duke mbajtur një radio policie në dorë. 36-vjeçari studionte njerëz hallexhinj që vinin sidomos nga rrethet e largëta në Tiranë. Menjëherë pas prezantimit, i kontrollonte duke ju thënë se jeni njerëz që ndiqeni nga Policia e Shtetit. Iu merrte të gjitha paratë dhe sendet me vlerë që dispononin (si celularë etj.) e më pas i ulte në një lokal që nuk e përsëriste dy herë rresht. Pasi i shoqëronte për një gjysmë ore, i dërgonte në një lokal tjetër, që në të gjitha rastet ishte i studiuar mirë prej tij, sepse kishte dy hyrje. Sipas dosjes së prokurorisë, në lokalin me dy dyer hyrje-dalje, iu porosiste çfarë duan të pinë, dilte nga hyrja tjetër, duke iu thënë qytetarëve të mashtruar që prisni këtu sa të shikoj në iks Komisariat, (cili ishte më i afërti me vendin e ngjarjes), dokumentet tuaja. Më pas largohej së bashku me paratë e sendet dhe nuk kthehej më. Sipas dosjes së prokurorisë, Genci Qoli është arrestuar në flagrancë në datën 11 qershor 2009, e më pas janë kryer të gjitha veprimet e duhura hetimore për dokumentimin e rasteve të mashtrimit dhe dërgimin e dosjes në Gjykatë. Ai është akuzuar për 12 episode.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›