Bulqizë, pallat për të pastrehët
BULQIZE/ HASAN PASHA
Një pallat tjetër do të rikonstruktohet për 15 familjet e pastreha të Bulqizës. Sipas vendorëve është dhënë miratimi nga strukturat shtetërore për të investuar të paktën 22 milionë lekë për rikonstruksionin e një pallati në lagjen "Gjeologu". Ky pallat është ndërtuar në vitet '90-të dhe ka shërbyer si bujtinë për minatorët e Bulqizës. Burime pranë bashkisë së qytetit sqarojnë se objekti deri tani është pronë e "Albkrom"-it, shoqërisë që ka menaxhuar deri para pak vitesh industrinë e kromit në vendin tonë. Pallati pesëkatësh nuk është banuar, sepse shoqëria e kromit nuk ka lejuar askënd të strehohet këtu. Burimet shtojnë se pas ndërhyrjeve të drejtuesve vendorë në qeveri është rënë dakord, që objekti të shndërrohet në shtëpi banimi për 56 banorët e 15 familjeve. Me paratë e buxhetit të shtetit do të investohet për të krijuar të tjera kushte banimi për familjet, që mbetën të pastreha nga shembja e pallatit. "Të hënën pritet të nisë investimi për kthimin e dhomave të punëtorëve dhe mjediseve të tjera në shtëpi banimi për 15 familjet e pallatit që u shemb", thanë zyrtarë të Bashkisë Bulqizë për gazetën "Panorama". Megjithëse bën ftohtë specialistët e ndërtimit do të zbatojnë një projekt emergjent për krijimin e kushteve të banimit për të gjitha familjet e mbetura pa shtëpi. Por familjarët këmbëngulin dhe kërkojnë kushte më të mira sesa në pallatin që u shemb. "Duam kushte më të mira, ndryshe të mos investohet në këtë pallat, - thanë disa nga kryefamiljarët. -Të paktën të kemi hyrjet tona me banja e korridore të veçanta. Nuk mund të pranojmë që kushtet pas investimit të jenë si ato të pallatit tjetër". Të gjithë banorët janë sistemuar në mjediset e xhamisë. Bashkia ka furnizuar banorët me rroba fjetje, ndërkohë të afërmit u kanë dhënë atyre ç'të mundnin, rroba, ushqime, enë kuzhine, etj. Kushtet në dhomat e myftinisë së Bulqizës janë me të mira, sesa ato të pallatit që u shemb, paçka se në këtë qytet bën ftohtë. Dhomat janë të shtruara me parket dhe dyert e dritaret janë funksionale. Ndoshta çështja e higjienës është problematike, por fakti se këtu do të qëndrojnë vetëm një muaj tregon se kjo është një zgjidhje e përkohshme. Megjithëse një pjesë e pallatit është shembur disa banorë të tij mendojnë, se nxjerrja e tyre forcërisht ka prapavija të tjera. Banorë që nuk duan të identifikohen thanë se largimi i tyre nga pallati nuk është bërë thjeshtë dhe vetëm që jeta e tyre të jetë në rrezik. Ata hamendësojnë se largimi i tyre forcërisht nga ky objekt lidhet me mundësinë e ndërtimit të një objekti tjetër pikërisht në truallin e këtij pallati. "Me sa jemi të informuar këtë pallat askush nuk e ka në inventar dhe përderisa është kështu atij mund t'i vihet ruspa pa asnjë problem dhe mbi të ndërtohet "diçka" tjetër. Fare pranë pallatit të shembur, në hyrje të Bulqizës, do të kalojë traseja e Rrugës së Arbrit dhe ndoshta ky truall do të jetë me shumë leverdi për ata që e kanë sajuar këtë vend", thanë banorët e pallatit të shembur, të cilët thonë se nëse një pjesë e parave të premtuara dje për kompleksin e "Albkrom"-it do të përdorej për pallatin e shembur kushtet do të ishin shumë më të mira në këtë objekt.
Keta: KRRT vendos për shembjen
BULQIZE - I pyetur për fatin e pallatit që u shemb tre ditë më parë kryetari i Bashkisë Bulqizë, Roland Keta tha se këto ditë do të mblidhet Këshilli i Rregullimit të Territorit të këtij qyteti dhe do të vendoset se çfarë do të ndodhë me objektin katërkatësh. "Nuk jam i informuar se çfarë thonë banorët e pallatit të shembur. Por unë deklaroj se gjithçka do të vendoset në mbledhjen e KRRT-së, ku specialistët e fushës së ndërtimit do të thonë fjalën e tyre. Ende nuk është vendosur nëse pallati do të shembet apo do të qëndrojë ashtu siç është. Ky pallat ishte një objekt i papërfunduar dhe si i tillë nuk është pronë e askujt. Ishte planifikuar për hotel por mbeti përgjysmë". Në lidhje me pretendimin e banorëve, se mbi truallin e këtij objekti do të ngrihet një objekt tjetër, Keta sqaroi: "Pak më intereson nga kalon Rruga e Arbrit, ngjitur me pallatin e shembur apo larg tij. Deri më tani nuk ka kurrfarë projekti apo vendimi se mbi themelet e këtij pallati do të ngrihet një tjetër objekt. Gjithçka do të vendoset nga KKRT-ja e bashkisë dhe specialistët. Banorët e mbetur pa strehë është mirë të mos ndikohen nga njerëzit, që nuk e kanë për gjë të sajojnë çfarë t'u vijë për mbarë".