Shisnin drogë në gjimnaze, arrestohen pesë persona
FIER/ MAJLINDA RAMA
Pesë persona u arrestuan mbrëmjen e djeshme në Fier me akuzën e trafikut të drogës. Në flagrancë u bllokuan 550 gramë heroinë, e cila dyshohet se shpërndahej te nxënësit e shkollave të mesme të qytetit. Veç të arrestuarve të operacionit të koduar "Start 2" u shoqërua dhe një 75-vjeçar, i cili dyshohet si bashkëpunëtor me rrjetin. Pas informacioneve të siguruara për ekzistencën e një grupi shpërndarës në qytetin e Fierit është organizuar operacioni për kapjen e tyre brenda disa orësh ditën e djeshme. Të arrestuarit janë: Ardian Tepe, 25 vjeç, Todi Cumbashi, 38 vjeç, Bledar Alesio, 28 vjeç dhe Luiz Hajdari, 23 vjeç, nga Fieri si dhe Florjan Hajro, 25 vjeç, lindur në Fier e banues në Tiranë. të gjithë nga qyteti i Fierit. Prej dy javësh mësohet që ka nisur gjurmimi i grupit. Disa sinjale të marra nga policia e Tiranës dhe ankesat e drejtuesve të shkollave kanë shërbyer për të ndërmarrë aksionin. Gjatë kontrollit në banesën e Bledar Alesios, policia zbuloi dje sasinë prej 550 gramësh, e paketuar në doza gati për shitje. Sipas hetimeve të deritanishme bëhet e ditur se furnizuesit me drogë ishin Alesio dhe Cumbashi, ndërsa të tjerët në rolin e bashkëpunëtorëve ndihmonin në shitjen e dozave në shkolla. Veç 5 të arrestuarve të rinj, mësohet se dhe 75-vjeçari ishte pjesë e grupit, duke ndihmuar në paketimin e lëndës narkotike e më pas shpërndarjen e saj te përdoruesit. Prej disa ditësh uniformat blu të Fierit kishin vendosur nën survejim grupin e trafikantëve, duke zbuluar se tregu i shitjes së lëndës narkotike ishin shkollat e mesme të qytetit dhe gjimnazistët fierakë. Pas këtyre ndalimeve, forca të shumta policie kanë nisur kërkimet dhe kontrollet në disa banesa në lagjet periferike të qytetit, ku dyshohet se mund të ketë të tjera vatra të mbajtjes së lëndëve narkotike. Ndalimi i shtetasve është bërë pranë urës me shkallë në qytetin e Fierit, në lagjen "1 Maji" e më vonë u zbulua edhe vendi ku mbahej e fshehur lënda narkotike, paketohej e bëhej gati për tregun e shitjes. Hetimet për grupin po vazhdojnë, pasi marrja në pyetje e të ndaluarve pritet të hedhë dritë mbi mënyrën e mbërritjes së drogës deri në Fier dhe emrat e furnitorëve kryesorë. Me këtë operacion synohet të arrihet goditja e grupeve, që gjejnë si tregun e tyre adoleshentët, duke shpërndarë lëndën narkotike pranë ambienteve të shkollave.