E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pesë rumunë kapen me bizhuteri false

 

TIRANE - Pesë shtetas rumunë u arrestuan dje nga policia e Tiranës me akuzën e tregtimit të bizhuterive të rreme në qytetet e Fierit, Lushnjës dhe Beratit. Hetimi është ndjekur nga policia e kryeqytetit, e cila kishte marrë informacione për veprimtarinë kriminale të pesë personave të dyshuar, të cilët janë vënë në pranga teksa po lëviznin me dy automjete në rrugën Fier-Lushnje. Burime zyrtare nga policia thanë se sektori i Antikrimit Ekonomik realizoi operacionin e koduar "Bizhuteritë false", duke vendosur në pranga shtetasit rumunë: Ion Miclescu, 32 vjeç, Nemes Miclescu, 36 vjeç, Donel Gunici, 24 vjeç, Dragos Miclescu, 25  vjeç dhe Fondor Tinceulescu, 43 vjeç. Sipas policisë, të arrestuarit u kapën në rrugën Lushnjë-Kavajë, ndërsa të dhënat flasin për shtrirjen e veprimtarisë së tyre në rrethet Fier, Berat dhe Lushnje. "Të dyshuarit u kapën në momentet që po tregtonin bizhuteri të ndryshme të pretenduara si floriri të dyshuara se janë false. Tregtimi bëhej nga automjetet e të arrestuarve", tha policia. Sipas saj, gjatë arrestimit u sekuestruan 68 unaza të madhësive dhe formave të ndryshme, 10 varëse të formave të ndryshme të ngjashme si varëse floriri, një kartë krediti e klonuar, dy automjete dhe 5 celularë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›