E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bulqizë, plagoset në këmbë përgjegjësi i minierës



BULQIZE - Plagoset në minierë kontrollori i sigurisë. Rreth orës 14:30 të ditës së djeshme është lënduar lehtë përgjegjësi i punimeve në nivelet 12 e 13 të minierës së kromit Bulqizë, Sazan Muça, 50 vjeç. Burime të sigurta informacioni saktësojnë se ai po kontrollonte sigurinë në këto nivele, kur një gur i ka rënë në këmbë. Muça është dërguar shumë shpejt nga punonjësit e avari-shpëtimit në spitalin e qytetit. Mjekët i kanë dhënë atij ndihmën e parë dhe kanë konstatuar se ka një frakturë të lehtë në këmbën e majtë. Mungesa e mjekëve specialistë dhe këmbëngulja e drejtuesve të minierës ka bërë që i lënduari të transportohet drejt Spitalit Ushtarak Tiranë për një kurim më të specializuar. Burime pranë minierës së kromit thanë se Muça është një specialist me përvojë dhe se në çastin e plagosjes po kontrollonte nivelin ku punojnë minatorët e tjerë. Në momentin kur ai kontrollonte me levë sigurinë në këto nivele, është shkëputur befas një gur nga tavani i galerisë. "Përgjegjësi i sektorit 12 e 13 Sazan Muça, - thanë zyrtarë të minierës, - nuk ka asnjë problem për jetën dhe shëndetin, por ne vendosëm ta dërgojnë në Tiranë për një vizitë me profesionale". h.p

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›