Vrau motër e vëlla, autori ende i lirë
KRUJE - Një ditë pas vrasjes së motër e vëlla në Krujë, autori i krimit vijon të jetë i lirë. Policia e Krujës në bashkëpunim edhe me atë të Kurbinit kanë ushtruar kontroll në banesën e Gëzim Zenelit, i dyshuar për vrasjen me armë zjarri të 50-vjeçares Xhevrie Stafa dhe vëllait të saj Qemal çopanit, 40 vjeç. Ngjarja ndodhi të mërkurën në fshatin Dukagjin të Krujës. Burime të policisë bënë të ditur se janë ngritur postblloqe në të gjitha akset rrugore që lidhin këtë rreth me tjerat, për të mos lejuar largimin e autorit, ndërkohë që po përdoren metoda speciale të hetimit, me qëllim lokalizimin e vendndodhjes së 30-vjeçarit nga fshati Vinjoll i Kurbinit. Policia ka shoqëruar edhe disa të afërm të të riut, të cilët janë marrë në pyetje për ngjarjen. Por, sipas deponimeve të tyre, Zeneli nuk u kishte treguar për krimin që do të kryente. Ata kanë pohuar se Gëzim Zeneli ishte djalë i vetëm dhe nuk komunikonte shumë me familjarët për veprimet që ai kryente. Policia e Krujës bëri të ditur se ka siguruar edhe dëshmitarë okularë për ngjarjen. Deri dje blutë kishin kryer mbi 50 kontrolle nëpër banesat e të afërmve të tij, por pa mundur dot të arrestojnë të kërkuarin. Ndërsa fotografia e tij është dërguar në të gjitha komisariatet e policisë dhe pikat kufitare të vendit, për të bërë të mundur arrestimin e tij, në rast tentative për t'u larguar jashtë vendit. Akuza e ngritur ndaj Gëzim Zenelit është ajo e vrasjes së kryer në rrethana të cilësuara, si dhe e mbajtjes pa leje të armëve e municioneve luftarake. Xhevrie Stafa dhe Qemal çepani u vranë në arën e jonxhës së 50-vjeçares. Familjet Stafa e Zeneli kishin prej vitesh konflikte për pronësinë, ndërsa pak ditë më parë viktima e kishte denoncuar të riun për vjedhjen e jonxhës në arat e saj. Pas denoncimit, 30-vjeçari ishte shoqëruar në polici ku ishte marrë në pyetje rreth akuzave të bëra nga Xhevrie Stafa. I irrituar, i riu ka vendosur të hakmerret ndaj saj duke e vrarë. Ditën e ngjarjes është ndodhur rastësisht me të motrën edhe viktima tjetër, Qemal çepani. Dje viktimave të këtij krimi të rëndë, iu është dhënë lamtumira e fundit nga familjarët dhe të afërmit e tyre. r.n