Kule: Jo diskriminim me diplomat
Ndryshimet e bëra me ciklet e studimit në Arsimin e Lartë në projektligjin e ri duhen riparë. Pas letrës dërguar Kryeministrit të vendit, kryetari i konferencës së rektorëve, Dhori Kule deklaron se nuk duhet të ketë diskriminim me diplomat. Ciklet e studimit duhet të kenë të njëjtën kohëzgjatje, pavarësisht emërtimeve. "Diplomat e dhëna para daljes së këtij ligji, sikurse aktualisht ligji ka bërë një vlerësim, ne nuk mund t'i zhvlerësojmë në kohëzgjatje dhe në vlerësimin në raport me diplomat e reja. Dhe në këtë pikë, projekti do të korrigjohet", është shprehur Kule. Sipas tij, viti i ri akademik do të nisë me cikle të reja studimi në master, por përpara se ato të zbatohen në universitete, do të duhet miratimi unanim i ndryshimeve nga të gjithë aktorët e pastaj Parlamenti. Sa i përket masterave, Kule ka ritheksuar se nuk është normale që studentët të jenë të diskriminuar në kohë. "Pra, nëse masteri shkencor është dy vite studimi, është e natyrshme dhe normale që po kaq të jetë në kohë dhe masteri profesional, po aq kredite të ketë dhe njëri dhe tjetri. Seleksionimi dhe diferencimi bëhet te fakti i kritereve", tha kreu i konferencës së rektorëve. Ndërkaq burime nga MASH dhe nga Rektorati pohuan se po shihet mundësia e rishikimit të cikleve të studimit, përpara se projektligji të miratohet. Vetëm pak ditë më parë, gazeta publikoi shkresën që Universiteti i Tiranës i dërgoi Kryeministrit. Në të jepen argumentet se një sërë ndryshimesh të bëra në ligjin për Arsimin e Lartë cënojnë autonominë e shkollave të larta e bien ndesh me Kushtetutën.
Kundërshtimet
Sipas shkresës së UT, pikat 3 dhe 4 të nenit 33 të projektligjit, diskriminojnë studentët që kanë përfunduar studimet. Me rregullimin që propozohet në projekt, diplomat e mëparshme dhe ato që do të lëshohen deri në përshtatjen e programeve, do të kenë një vlerë akademike më të ulët së ato që janë lëshuar dhe lëshohen aktualisht, duke prekur rëndë kështu interesat e dhjetëra mijëra personave. "Praktikisht në tregun e punës, me këtë rregullim do të krijohet një pabarazi për shkak të vlerësimit të ndryshëm të diplomave në fuqi prapavepruese, duke vendosur në pozita diskriminuese një shtresë të tërë të diplomuarish të mëparshëm, në raport me vlerësimin e ri të diplomave, gjë që bie ndesh me nenin 18 të Kushtetutës", thuhet në letër. Në të theksohet se neni 10 i projektligjit bie ndesh me parimin e rëndësishëm, mbi të cilin ndërtohet dhe funksionon Arsimi i Lartë, atë të autonomisë institucionale, parashikuar nga neni 5/7 i Kushtetutës, të cilin ligji duhet ta garantojë. "Ligji në fuqi ka përcaktuar në mënyrë të saktë se të gjitha organet dhe autoritetet drejtuese të institucioneve të Arsimit të Lartë, zgjidhen nga personeli akademik jo akademik dhe studentët. Ky rregullim garanton autonomi institucionale dhe nuk bën përjashtim për asnjë autoritet drejtues. Ajo që parashikohet në nenin 10 lidhur me drejtorin e qendrës ndëruniversitare si i vetmi drejtues që nuk i nënshtrohet kësaj procedure, por emërohet nga jashtë universitetit, vlerësojmë se nuk është vetëm një standard i ndryshëm por vjen haptazi ndesh me autonominë e institucioneve të IAL", thuhet në shkresë. Ndërkaq në nenin 33 paragrafi i fundit bën të pavlefshme diplomat "Master i nivelit të dytë", të hapura me vendim të Këshillit të Ministrave. "Ky rregullim mund të sjellë edhe një reagim të fortë të fituesve të këtyre diplomave dhe të studentëve aktualë", argumentohet në letër.
Kundërshtimet e projektligjit
Projektligji krijon anomali lidhur me diplomat dhe programet e studimit. Përsa i përket diplomave, thjesht ndryshohet emërtimi i tyre për ciklin e parë dhe të dytë të studimeve. Por nga ana tjetër, ky ndryshim, edhe pse formal sjell efekte substanciale lidhur me raportin që krijohet me diplomat e lëshuara më parë dhe që do të lëshohen tani.
Projektligji në nenin 33, paragrafi i fundit, bën të pavlefshme diplomat "Master i nivelit të dytë", të fituar deri tani si dhe studimet universitare që janë në vazhdim dhe që janë hapur me vendime të këshillit të ministrave.
Në kundërshtim me nenin 92 të Kushtetutës, në nenin 10, parashikohet kompetenca që Presidenti të emërojë me propozim të Ministrit të Arsimit dhe Shkencës, drejtorin e qendrës ndëruniversitare.
Pikat 3 dhe 4 të nenit 33 të projektligjit bien ndesh me parimin një të drejte të fituar, atë të sigurisë juridike dhe procesin e rregullt ligjor të parashikuar nga neni 42 i Kushtetutës dhe neni 6/1 i konventës Evropiane të të drejtave të njeriut. Ato diskriminojnë studentët që kanë përfunduar studimet, ata që po studiojnë aktualisht, si dhe ata që deri në momentin e përshtatjes së programeve të studimit, diploma universitare ju ekuivalentohet me një diplomë master.