E Shtunë, 31 Tetor 2026

Plazhi i Semanit, mes mbeturinave e bunkerëve



FIER - Gjendja e plazhit të Semanit në Fier, në prag të sezonit turistik është e rëndë. Me një gjatësi 9 km dhe një gjerësi 100 metër e gjithë vija bregdetare e plazhit të Semanit nuk të ofron tërheqje për pushimet e kësaj vere. Për ta risjellë në gjendjen e mëparshme këtë plazh kaq të preferuar dikur për shkak të rërës kurative dhe kushteve klimaterike e gjeografike, duhet të fillojë menjëherë puna për pastrimin e mbeturinave dhe bunkerëve. Shqetësuese për plazhin e Semanit janë dhe ndotjet hidrokarbure të derdhura në det nga kompanitë e naftës në Patos dhe në Marinëz. Sipas kryekomunarit të Semanit këto ndërmarrje duhet të kontribuojnë me mjete dhe para për të bërë të mundur pastrimin e bregdetit. "Ndotjet nga hidrokarburet kanë qenë të vazhdueshme edhe në vitet e mëparshme, por unë them se nëse vitin që shkoi plazhin e Semanit e kanë frekuentuar 50 mijë pushues ditorë, sivjet dëshiroj që numri i tyre të shtohet. Kam bindjen që në derdhjen e kolektorit në Marinëz ku ne kemi vënë një pritë, nuk do të kalojnë më mbeturina hidrokarbure në plazhin e Semanit", shprehet Sotir Zarka. Problem që po trashëgohet dhe këtë vit janë bunkerët përgjatë bregut. Rreth 1 vit më parë Ministria e Mbrojtjes mori përsipër heqjen e të gjithë bunkerëve në bregdetin Seman, por ata vetëm u zhvendosën për t'u grumbulluar në brezin e rërës. Kryekomunari thotë se është premtuar nga dikasteri i Mbrojtjes largimi i tyre para sezonit, pasi vetë komuna nuk e përballon dot këtë investim. Nga ana tjetër ai shprehet se ka nisur pastrimi i zonës bregdetare nga mbeturinat. m.r

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›