Bulqizë, plagoset një tjetër minator në galeri
Në të njëjtën minierë kanë humbur jetën brenda Avni Duriçi, Hysen Elezi, Zaim Hysa, Mehdi Jani e Sami Doga
BULQIZË- Ngjarjet e rënda nuk i ndahen minatorëve të Bulqizë. Aksidentet e njëpasnjëshme në vitin 2007 ku gjetën vdekjen disa minatorë vijuan edhe këtë fillim viti të 2008. Si pasojë e një aksidenti të shënuar dje në këtë minierë është plagosur rëndë minatori 35- vjeçar, Mark Uka. Në momentin e plagosjes ai ka qenë duke punuar në zonën e parë të minierës, në 1100 metra thellësi. Ka qenë një gur që është shkëputur nga sipër që i ka rënë mbi shtyllën kurrizore Ukës, gjë që e ka dëmtuar rëndë. Minatori është transportuar menjëherë në Spitalin Ushtarak të Tiranës ku dhe po merr ndihmën e nevojshme.
"Puna në minierë është sikur të ecësh mbi mina mos e paçim kismet vdekjen",- shprehet një nga të afërmit e Mark Ukës. Për pak rrezikoi jetën, pas një aksidenti në punë, por 37-vjeçari Mark Uka nuk heziton të thotë se do të kthehet sërish në minierë për të siguruar bukën e gojës. Ai qëndron në një nga dhomat e kirurgjisë në katin e tretë të spitalit ndërsa ndodhet jashtë rrezikut për jetënmadje shprehet se do të qëndrojë vetëm pak ditë në spital. Në një intervistë për "Shekulli" Mark Uka tregon si mbeti i plagosur në minierë.
Si ndodhi ngjarja?
Isha në minierë dhe po zbrisja shkallët. Njëra nga shkallët u shemb dhe unë rashë nga disa metra lartësi. Ishte aksidentale.
Ç'ndodhi më tej?
Më pas erdhën dy kolegë të mi dhe më ndihmuan. Më dërguan në spital dhe më pas mbërrita në Spitalin Ushtarak në Tiranë. Nuk kam shumë dëmtime, për dy ditë mjekët më thanë se mund të eci dhe do të dal nga spitali.
Prej sa kohësh punon në minierë?
Miniera ku punoj unë është private. Atje kam rreth katër muaj që punoj. Jemi rreth 15 punëtorë.
Do të kthesh sërish në minierë për të punuar?
Nuk kam shumë dëshirë të punoj në minierë por ku të punosh tjetër në Bulqizë. Duhet të siguroj bukën e gojës. Kështu që do të kthehem sërish nuk kam frikë. Kam qenë emigrant në Greqi ku kam punuar shumë vite por nuk munda të bëj dokumentet kështu që nuk kam mundësi tjetër vetëm të punoj në minierë në Bulqizë, pasi edhe rroga është e kënaqshme.
A i dispononi kushtet e punës?
Po, po i kemi kushtet e punës. Madje edhe sigurime kemi. Tani unë paraqes raport dhe paguhem nga shefat e mi edhe pse nuk jam në punë.