Plumb kokës 42-vjeçarit se nuk i hapi rrugën
Sarandë, kryetari i PDI-së lokale, Shpëtim Gjiknika është plagosur me pistoletë nga 18- vjeçari Besmir Bajrami
SARANDË- Sherri për shpejtësinë e makinës për pak sa nuk i ka kushtuar jetën kryetarit të PDI-së për qytetin e Sarandës. Shpëtim Gjinika (Avduli), i cili është edhe anëtar i këshillit bashkiak ka marrë një plumb shkarazi në kokë, i cili i ka gërvishtur kafkën por për fat nuk i ka shkaktuar dëmtime serioze për jetën. Personi që e ka qëlluar me armë është 18- vjeçari Besmir Bajrami, i cili është arrestuar më pas nga policia.
Burimet e policisë pohuan se të dy këta persona ndodheshin me makinat e ture në një prej rrugëve të lagjes nr.3 të qytetit të Sarandës. Bajrami ndodhej pas makinës së Gjiknikës dhe pasi ai nuk i ka hapur rrugë, ka nisur t'i bjerë borisë dhe t'i bëjë shenjë me drita. Gjiknika ka ndaluar makinën dhe ka nisur të këshillojë adoleshentin por ky i fundit ka nxjerrë një pistoletë që kishte me vete dhe ka nisur ta qëllojë. Plumbi i tretë ishte drejtuar për në kokën e 42- vjeçarit por ai është shmangur dhe për fat të mirë predha e ka prekur shkarazi duke hapur një brazdë në skalpin e kokës. Pas kësaj 18- vjeçari është larguar me shpejtësi ndërsa viktima është transportuar në spital nga persona që kanë qenë rastësisht aty. Policia lokale është vënë në ndjekje të të riut dhe disa minuta më pas ka mundur që të gjejë makinën e braktisur prej tij në vendin e quajtur Qafa e Gjinos. Kërkimet në terren kanë zbuluar 18-vjeçarin, i cili kishte kaluar përmes lumit. Kur ka parë policinë ai është dorëzuar së bashku me armën e krimit. Policia është duke hetuar motivin e ngjarjes pasi nuk është shumë e bindur se shkaku i vërtetë ka qenë sherri banal mes dy personave për hapjen e rrugës së makinës.