E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sherri banal, kasapi ther për vdekje taksistin

Viktima Sadush Hyskaj e autori i vrasjes Florjon Braka janë zënë për parkimin përpara dyqanit të këtij të fundit
BALLSH- Një 31- vjeçar nga Mallakastra ka humbur jetën mëngjesin e djeshëm në qytetin e Ballshit pas një sherri banal për parkimin e automjetit. Viktima, i cili punonte taksist, ka debatuar me kasapin që kishte dyqanin aty përpara por situata ka dalë jashtë kontrollit dhe ka përfunduar në gjakderdhje. Viktima është Sadush Hyskaj ndërsa autori i vrasjes është 51- vjeçari Florjon Braka. Ky i fundit është arrestuar nga policia lokale vetëm pak minuta pas ngjarjes së rëndë.
Dëshmitarët okularë nga vendi i ngjarjes pohuan se viktima dhe vrasësi i tij njiheshin me njëri- tjetrin. Sadush Hyskaj kishte një taksi dhe punonte në qendër të qytetit të Ballshit, vetëm pak metra larg komisariatit të policisë. Ndërkohë Florjan Braka, pavarësisht se jetonte në fshatin Hekal, kishte hapur në qendër të qytetit të Ballshit një dyqan ku shiste mish. Rreth orës 10.00 të paradites së djeshme Hyskaj ka parkuar makinën përpara dyqanit të mishit por në këtë moment ka dalë jashtë edhe kasapi, i cili i ka kërkuar që të mos qëndronte aty. Sipas kasapit, makina i zinte pamjen dhe do të largonte klientët. Këtu ka lindur edhe grindja midis tyre e cila është acaruar së tepërmi. Të dy kanë nisur të shahen me njëri- tjetrin dhe kanë arritur deri tek kërcënimet. Dëshmitarët që ndodheshin vetëm pak metra larg sherrit pohuan se kasapi Florjan Braka, babai i tre fëmijëve, ka rrëmbyer thikën që ndodhej në tavolinën që priste mishin dhe pa hezituar ka qëlluar në trupin e Sadush Hyskaj Ai ka rënë në tokë i mbytur në gjak. Shumë persona që ndodheshin pranë nuk e pandehnin se gjendja do të arrinte deri te thika, kanë vrapuar dhe kanë dërguar të plagosurin në spitalin e Ballshit. Mjekët e këtij spitali nuk kanë mundur dot të shpëtojnë pasi goditja ka qenë e fortë në pjesët e barkut duke i shkaktuar atij vdekjen vetëm pak minuta më pas. Ndërsa autori i krimit ka tentuar të largohet por ka rënë në duart e policisë vetëm disa minuta pas ngjarjes. Duke qenë afër komisariatit të policisë, ai nuk ka mundur dot të largohet. Ka qenë vetë shefi i policisë së Ballshit, Lulzim Nelaj ai që ka bërë kapjen e tij. I arrestuari është transportuar në komisariatin e policisë dhe më pas është shpënë sërish në vendin e ngjarjes. Aty Braka ka rrëfyer të gjitha detajet e ngjarjes. Ai i ka treguar policisë morinë e thikave që kishte në dyqan si dhe ka dorëzuar armën e krimit, e cila është sekuestruar si provë materiale. Vrasja e 31- vjeçarit ka mbledhur në spitalin e Ballshit dhjetëra njerëz, të afërm të viktimës, ndërsa policia ka qëndruar në gatishmëri për të përballuar ndonjë situatë hakmarrjeje. Tashmë 51 vjeçari do të përballet me veprën penale të vrasjes me dashje parashikuar nga neni 76 i Kodit Penal.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›