E Shtunë, 31 Tetor 2026

Flijimi i bashkëshortëve, helmimi i organizuar nga burri

Shkaku i vetëvrasjes: Do të mbeteshin vetëm pa njeri. Vajza do shkonte në Greqi, tek bashkëshorti
Ceremonia mortore zhvillohet në fshatin e lindjes, aty ku Qazim Hoxha kishte hapur edhe varret
PEQIN- Flijimi i bashkëshortëve Hoxha në Kurtaj të Peqinit ishte organizuar nga burri, 68-vjeçar. Sipas burimeve zyrtare të policisë, referuar dëshmisë së vajzës dhe gjithë rrëfimeve të mbledhura për ngjarjen bëhet e ditur se Qazim Hoxha kishte marrë vendimin fatal për t'i dhënë fund jetës me fostoksinë, duke vendosur edhe për fatin e bashkëshortes së tij. Ai, sipas të njëjtave burime, ka detyruar gruan, 66-vjeçare që të gëlltisë fostoksinën dhe më pas ka pirë vetë kokrrat e mbetura. Të dy bashkë, Qazim dhe Shaze Hoxha kanë gjetur vdekjen nga helmi i fortë, në shtëpinë e vajzës së tyre të martuar në fshatin Kurtaj të rrethit të Peqinit. Ceremonia mortore është zhvilluar dje në fshatin e tyre, në komunën Përparim. Fqinjët dëshmojnë se një nga arsyer ishte frika se do të mbeteshin vetëm, pasi dhëndri ishte duke përgatitur dokumentet për vajzën e tyre, me të cilën jetonin prej dy vitesh.
Ceremonia
Megjithëse dy vitet e fundit, dy bashkëshortët Hoxha kanë jetuar në shtëpinë e vajzës së tyre, trupat e pajetë që kanë qëndruar gjatë gjithë natës në morgun e spitalit janë varrosur në varrezat e fshatit Hoxhaj, të komunës Përparim. Prej disa ditësh mësohet se Qazim Hoxha kishte shkuar në varrezat e fshatit dhe kishte hapur dy varre duke paramenduar gjithçka, deri në këtë vendim që ka tronditur mjaft të afërmit dhe banorët e zonës. Në fshatin Kurtaj, ku edhe ndodhi ngjarja, familjarët dhe të afërmit kanë mbyllur dyert për të marrë pjesë në funeralet e dy bashkëshortëve Hoxha. Fqinjë të kësaj familjeje tregojnë se dy bashkëshortët jetonin në kushte shumë të mira dhe nuk kishin arsye për t'u vetëvrarë. Mjaft të tronditur banorët e të dy fshatrave, në Hoxhaj të komunës Përparim dhe në Kurtaj kanë zhvilluar ceremonitë mortore të dy bashkëshortëve.
Frika nga braktisja
E bija e dy viktimave do të largohej në Greqi së bashku me bashkëshortin dhe ky mendohet të ketë qenë shkaku i vrasjes së Shaze Hoxhës dhe më pas vetëvrasjen e Qazim Hoxhës. Depresioni pas largimit nga shtëpia ku ishte rritur dhe kishte punuar gjithë jetën për shkak të grindjes me të birin dhe dëbimin e tij së bashku me gruan nga shtëpia kishin lëkundur jetën e të dyve, por ai që e kishte përjetuar më tepër këtë gjë ishte Qazimi. Ai nuk e kishte gëlltitur dot këtë fakt dhe ka mjaftuar dalja e dokumenteve të së bijës për në Greqi që të mendonte se tashmë ata do të mbeteshin vetëm. Hurma Sulkja, fqinjë e familjes, ku kanë jetuar dy bashkëshortët e vetëhelmuar thotë se arsyeja e vetëvrasjes së tyre ka qenë ndoshta edhe largimi për në Greqi i dhëndrit dhe i së bijës. "Ata jetonin shumë mirë këtu. Ne i njihnim, pasi kishin dy vjet këtu. Nuk kemi dëgjuar asnjë fjalë për marrëdhënien me dhëndrin. Ai i respektonte shumë. Kohët e fundit, ai ishte duke bërë dokumentet për në Greqi edhe për nusen"- tregon ajo. Ai kishte shkuar, jo shumë ditë më parë për të hapur varret, kishte blerë helmin vdekjeprurës, i kishte kërkuar bashkëshortes që të bënin banjë dhe më pas e kishte detyruar atë që të pinte tre kokrrat e fotoksinës. Pasi është siguruar për vdekjen e saj ka pirë edhe vetë kokrrat e fostoksinës. 68-vjeçari ka marrë mbi vete edhe akuzën për vrasjen e bashkëshortes së tij, por me aktin e vetëvrasjes me mbylljen e procedurave kjo çështje mund të konsiderohet e mbyllur.
Hetimi
Megjithëse, vetëhelmimi duket se ka mbyllur gjithçka, burimet policore bëjnë me dije se një nga momentet e hetimit është marrja në pyetje e djalit të viktimave, i cili është përcaktuar si shkaku i largimit të tyre nga shtëpia për të shkuar tek e bija e martuar. Çaush Hoxha që kishte marrë edhe emrin e gjyshes së tij nuk ka dashur të shtojë asnjë fjalë për atë që ndodhi. Edhe pse gjithçka sillet rreth tij ai ka kaluar dhimbjen së bashku me familjarët e tjerë, në shtëpinë ku duhet të jetonin dy prindërit e tij, por që tashmë nuk jetojnë më. Bërja e autopsisë së kufomave vonoi kthimin e trupave në vendlindje dhe kjo ka acaruar më shumë familjarët. Ata nuk kanë dashur të japin shumë shpjegime por kanë akuzuar strukturat shtetërore që vonuan trupat dhe vetë të moshuarit që vendosen të largoheshin nga familja e djalit dhe më pas të përfundonin në vetëhelmim.
 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›