Elbasan, dy aksidente brenda pak orësh
Policia ka mundur që të arrestojë të dy shkaktarët e këtyre aksidenteve. Për fat të mirë nuk ka viktima
ELBASAN- Dy aksidente u regjistruan të martën në mëngjes në rrugët e rrethit të Elbasanit, por për fat pa pasoja të rënda në jetën e njerëzve, ndërkohë që policia ndaloi drejtuesit e mjeteve që u identifikuan si shkaktarë të tyre. Në të dyja rastet, sipas hetimeve të policisë, aksidentet ndodhën për shkak të shpejtësisë tej normave të lejuara nga ana e drejtuesve të mjeteve. Burime zyrtare të policisë së qarkut të Elbasanit thanë se aksidenti i parë ndodhi rreth orës 05:30 të ditës së djeshme, në aksin rrugor Cërrik- Papër. Të njëjtat burime thanë se automjeti tip Benz, me targa "EL 7846 B" u përplas me një çiklomotorin Yamaha pa targa, që drejtohej nga R. Beqari, 42 vjeç, lindur e banues në komunën Papër të rrethit të Peqinit. Si pasojë e këtij aksidenti u dëmtua drejtuesi i çiklomotorit, që aktualisht ndodhet nën kujdesin e mjekëve në spitalin e Elbasanit. Mësohet se drejtuesi i mjetit tip Benz, Ndriçim Bakalli, u ndalua nga policia fill pas këtij aksidenti. Aksidenti i dytë u regjistrua një orë më pas, në rrugën Elbasan- Metalurgji. Burime nga vendngjarja thanë se një furgon me targa angleze u përplas me një mjet tip Benz me targa "EL 5385B", që drejtohej nga shtetasi Valbona Lukani. Mësohet se drejtuesi i mjetit me targa angleze, Sazan Darsi u largua nga vendi i ngjarjes, por u kap shumë shpejt nga policia, e cila ishte vënë në ndjekje të tij. Burimet thanë se ndaj 22 -vjeçarit Darsi, lindur në Kukës dhe banues në Domje të Tiranës, ka nisur procedimi për veprën penale të shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor dhe largim nga vendi i aksidentit.