Shkolla e dëmtuar, premtohet ndërhyrje
Vlorë- Nxënësit e klasës së tetë, të shkollës «Teli Ndini», i janë rikthyer dje normalisht mësimit në një nga klasat e tjera, ndërsa orëve mësimore i është bashkuar edhe Elvjan Kasaj, i cili është dëmtuar nga rënia e suvasë. Në shkollë dje shkuan autoritete të vendorit, të cilët kanë premtuar, jo vetëm të riparojnë dëmtimet, por të inspektojnë gjithë shkollën për sigurinë teknike. "Ngjarja na bën që të shikojmë me rigorozitet cilësinë e punimeve të tilla»-, tha kreu i bashkisë, Gjika. Ai ka sqaruar se megjithatë punimet në këtë shkollë janë kryer shumë vite më parë. Inxhinieri që ka parë në vend klasën, Ilir Troqe, tha se pjesa e suvasë ka pasur një trashësi prej 6 cm, duke rrezikuar seriozisht nxënësit. Ajo ka qenë e shkëputur prej kohësh dhe ka mjaftuar një tronditje ta rrëzojë në shesh atë. Gjithsesi do të inspektohet gjithë shkolla, ku sipas drejtores së shkollës, mësimi do të vijojë me turne për të siguruar maksimalisht të gjitha ambientet e shkollës.