Bulqizë, plas pushka për kromin
Situata në pjesën jugore të Minierës së Bulqizës, thënë ndryshe, “Zona D”, vazhdon të mbetet tejet e tensionuar dhe problematike. “Lufta” për zaptim galerish dhe stoqesh mes firmave të licencuara ose jo dhe atyre të njohur si “të fortët” e Bulqizës, në vazhdimësi ka pasur ulje-ngritjet e saj. Kjo përplasje ka shkuar deri në përdorimin e armëve dhe humbje të jetëve njerëzore. Pas një periudhe pauze për shkak të uljes së çmimit të mineralit në tregjet ndërkombëtare gjatë vitit të kaluar, rritja e këtij çmimi me fillimin e këtij viti duket qartë se do shoqërohet me rikthimin e frikshëm të këtyre përplasjeve.
Kështu, në orët e para të ditës së djeshme, është dhënë shenja e parë e rikthimit të këtyre konflikteve, kur tre persona identiteti i të cilëve nuk bëhet i ditur, kanë tentuar të hyjnë me forcë në një nga galeritë private të kromit, për të vjedhur mineral. Për grabitjen e mineralit ata kanë kërcënuar me armë punonjësit e firmës private.
Burime nga Komisariati i Policisë Bulqizë, konfirmojnë për “Shqip”, se galeria private ku u tentua të vidhet kromi ishte në pronësi të firmës “Tollja” sh.p.k. Po sipas këtyre burimeve, konfirmohet se konflikti ka shkuar deri në përdorimin e armëve, gjë për të cilën është njoftuar policia, e cila menjëherë ka shkuar në vendngjarje. Forcat e policisë kanë mundur të kapin një nga autorët e kësaj ngjarjeje, ndërsa është vënë në ndjekje të dy të tjerëve të cilët janë larguar në drejtim të paditur. Policia njofton se po punohet për kapjen e dy të tjerëve, gjë për të cilën janë shoqëruar në polici disa persona të afërt të tyre. Tre personat që tentuan të grabisin mineralin e kromit të një firme private, akuzohen jo vetëm për vjedhje, por edhe për vrasje të mbetur në tentativë.
Krismat e armëve në minierë kanë rikthyer përplasjet e forta mes grupeve rivale. Këto përplasje ndër vite kanë çuar deri edhe në humbje të jetës njerëzore, siç ndodhi para më shumë se dy viteve, kur 50-vjeçari F.Doda u vra pas përplasjes me armë mes dy grupeve rivale. Ndërkohë, sipas kryetarit të sindikatës së minatorëve të kompanisë koncesionare ACR, Dilaver Përkoxha, konfirmohet se tensionimi dhe përplasja në këtë zonë të minierës ka ardhur nga fakti se Ministria e Ekonomisë, në vazhdimësi ka licencuar mbi një duzinë firmash të vogla private për shfrytëzim kromi, në blloqe minerare. Në mos të gjitha, shumica e këtyre firmave të vogla, për shfrytëzimin e galerive të tyre duhej të ushtronin aktivitetin brenda territorit të minierës që i takon ACR-së. Në pamundësi për të investuar për hapje galerish për të arritur në bllokun minerar të licencuar për shfrytëzim, këto firma, në shumë raste edhe forcërisht kanë shfrytëzuar territorin e firmës koncensionare ACR, e cila shpeshherë është e detyruar të tolerojë, thotë kryesindikalisti Dilaver Përkoxha.
Ndërkohë, situata mbetet edhe më kritike se kaq, po të kemi parasysh edhe konfliktet mes firmave fantazma (të palicencuara) dhe atyre të licencuara që nxjerrin sasi të kufizuara kromi nga kjo zonë. Shpesh firmat fantazma ushtrojnë presion mbi shoqëritë e licencuara, duke krijuar një klimë terrori, ku jo rrallë është kërkuar edhe ndërhyrja e policisë lokale, siç ka ndodhur edhe dje.
#