Naço: Vota ime, parimisht pro hapjes së kutive
Nënkryetari i Parlamentit, Nasip Naço, njëkohësisht përfaqësuesi i Lëvizjes Socialiste për Integrim në komisionin parlamentar për hetimin e zgjedhjeve, deklaroi se vota e tij do të jetë “pro” për hapjen e kutive në zonat që do të shikohen të arsyeshme. Në një prononcim për mediat, Naço theksoi se kjo votë do të kushtëzohej vetëm me rastet kur për këto kuti do të kishin dhënë vendimin e tyre gjykatat. “Tashmë komisioni është ngritur dhe ne presim të vijnë në të përfaqësuesit e opozitës, bashkë me kryetarin të cilin do ta vendosin ata. Vota ime do të jetë pro për hapjen e kutive, por më parë duhen parë vendimet e gjykatave nëse janë shprehur më parë apo jo për ato kuti”, deklaroi Naço, duke treguar këtu edhe predispozitën e mazhorancës për çuarjen deri në fund të hetimit. Nga ana tjetër, përfaqësuesi i Partisë Demokratike në këtë komision, Aldo Bumçi, shpjegoi edhe mënyrën sesi mund të funksiononte grupi i prokurorëve, i cili do t’i bashkohet komisionit hetimor për shqyrtimin e zgjedhjeve. Sipas tij, prokuroria si organ hetimor ka të drejtë të hyjë në themel të çdo çështjeje. “Ne i po japim mandatin 100 prokurorëve, pra organit të akuzës që të hetojë të gjitha çështjet që lidhen me zgjedhjet. Përveçse akuzave që mund të bëjnë palët, prokuroria mund të hetojë edhe kryesisht”, shpjegoi Bumçi. Sipas tij, hetimi do të ekzistojë për çdo çështje që ajo mendon se mund të hetojë. Por, sipas Bumçit, ky grup mund të hetojë detaje edhe nga çdo zonë e vendit. “Nëse i gjithë Parlamenti, shumicë dhe pakicë, i jep mbështetje organit të prokurorisë, duke përkrahur me mjete financiare dhe me çdo mjet tjetër të nevojshëm që një numër i konsiderueshëm prokurorësh, rreth 100 t’i dedikohen hetimit të zgjedhjeve dhe të hetojnë zgjedhjet në detaje në të gjitha zonat”, shpjegoi përfaqësuesi i PD-së në komision. Po kështu, sipas Bumçit, grupi i prokurorëve nuk e pengon punën e komisionit hetimor parlamentar. Sipas tij, ky grup do të mbetet si një zgjidhje alternative për çdo problem që mund të hasë komisioni hetimor parlamentar në bërjen e transparencës së zgjedhjeve”. Nëse komisioni hetimor merret me çështjen a i është bërë presion administratës, nëse komisioni hetimor merret me financimin e partive politike, merret me përdorimin e mediave, të gjitha këto janë çështje qe i heton komisioni hetimor, jo prokuroria”, shpjegoi Bumçi. Sipas tij, këto dy grupe pune mund të mbështesin njëra-tjetrën në hetim.
#