E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bulqizë, shembja e urës izolon dy fshatra

Reshjet e dendura të shiut dhe dëborës kanë rritur në mënyrë të ndjeshme prurjet e lumenjve, që në vërshimin e vrullshëm të tyre kanë përlarë me vete edhe ura lidhëse të fshatrave duke i lënë banorët e tyre në izolim. Kështu ka ndodhur në komunën Fushë-Bulqizë, ku nga vërshimi i ujërave të Zallit të Bulqizës është shkatërruar totalisht njëra nga urat, e cila lidh dy fshatra të kësaj komune, Fushë e Vogël dhe Fushë-Bulqizë. Si pasojë e shkatërrimit të kësaj ure, të paktën 1000 banorë kanë mbetur të izoluar. Izolimi ka shkaktuar probleme për dhjetëra nxënës të lagjes “Kicaj”, të cilët për të vijuar shkollën duhet të udhëtojnë në një tjetër rrugë prej rreth 2 kilometra të gjatë. Po kështu probleme janë shkaktuar edhe për punëtorët e fshatit Fushë e Vogël, që vijojnë punën në minierën e Bulqizës, të cilët për të dalë në rrugën nacionale duhet të bëjnë 30 minuta rrugë dytësore, për shkak të shembjes së kësaj ure. Sipas deklarimeve të banorëve të këtyre fshatrave, mësohet se ata janë interesuar pranë Komunës Fushë-Bulqizë, për zgjidhjen e problemit të ndërtimit të kësaj ure. Por sipas tyre, drejtuesit e komunës nuk kanë dhënë asnjë shpresë për zgjidhjen e shpejtë të këtij problemi, pasi siç dhe janë shprehur vetë ata duhet bërë projekti i ndërtimit të urës, miratimi i këtij projekti, tenderimi dhe pastaj ndërtimi i saj. Kështu mbetet e paqartë se sa kohë do t’u duhet banorëve të këtyre dy fshatrave që të vuajnë mungesën e urës, e cila u shkatërrua nga vërshimi i ujërave të Zallit të Bulqizës.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›