Vlora mbetet pa ujë, shembet edhe një shtëpi
Prej 48 orësh banorët e pjesës më të madhe të qytetit të Vlorës po vuajnë mungesën e ujit të pijshëm. Shkak për këtë është bërë shkarja e dheut në kodrën ku ndodhet e vetmja depo uji e qytetit. Shkarjet e dheut kanë filluar një vit më parë, por ditët e fundit ato janë shtuar me reshjet e shumta e të dendura që kanë rënë në qytetin e Vlorës. Për shkak të zhvendosjes së tokës, janë çarë shtatë tubat kryesorë të linjës që furnizon qytetin e Vlorës.
Ndërkohë, një shtëpi banimi ka dalë tërësisht jashtë funksionimit për shkak të shkarjes së dherave në një nga kodrat e lagjes “10 korriku” në Vlorës. Në këtë kodër ndodhen edhe tubacionet e ujësjellësit që furnizojnë qytetin dhe familjarët fajësojnë për dëmtimet e pariparueshme të banesës së tyre pikërisht ndërmarrjen në fjalë. Sipas tyre, tubacionet e ujësjellësit janë shumë të vjetër dhe herë pas here çahen. Për shkak të pranisë së ujit, ka nisur shkarja e dherave, e cila është përshpejtuar shumë kohët e fundit.
#