Bulqizë, vdes në galeri 32-vjeçari
BULQIZE/ HASAN PASHA
Minierat e kromit të Bulqizës vazhdojnë të marrin jetë nje-rëzish. Shënohet viktima e dytë që nga janari, një 32-vjeçar nga Fushë-Bulqiza, baba i 3 fëmijëve humbi jetën disa orë pasi ishte futur në thellësi të një galerie private.Rreth orës 11:30 të ditës së djeshme, policia lokale është informuar se në pusin numër 1, në nivelin 52 ka humbur jetën shtetasi Behar Toçi. Ngjarja e rëndë ndodhi në një minierë private të licencuar, pronë e shtetasit Petrit Doda. Burime të sigurta informacioni sqarojnë se Toçi dhe tre kolegë të tij punonin në thellësinë 166 metra, teksa një masiv shkëmbor brenda galerisë, ka rënë mbi trupin e 32-vjeçarit duke i shkaktuar atij vdekjen e menjëhershme. Dëshmitarë okularë në vendin e ngjarjes sqarojnë se si çdo ditë, Toçi dhe punëtorët e tjerë të minierës private kanë hyrë në galerinë, që ndodhej në zonën e parë të pellgut mineralmbajtës të Bulqizës. “Kemi hyrë si çdo ditë tjetër në galeri, - thanë për grupin hetimor punonjës të kësaj galerie. – Behari, i cili punonte prej më shumë se 1 viti në minierë hyri më thellë dhe po kontrollonte frontin e punës. Në dorë mbante një levë, me të cilën kontrollonte tavanin e galerisë. Ne ishim pak më larg kur dëgjuam zhurmë të madhe. Errësira nuk na lejonte të shihnim çfarë po ndodhte, por bashkë me zhurmën humbi dhe ndriçimi i Beharit. Mbetëm të shtangur dhe ndjemë se diçka e rëndë i kishte ndodhur kolegut tonë”. Tre minatorët e tjerë të minierës i janë afruar fundit të galerisë, pikërisht aty ku ndodhej Toçi. Me vështirësi kanë parë se atë e kishte zaptuar një masiv i madh inertesh, gurë dhe krom. Përpjekjet për ta nxjerrë nga nëntoka të gjallë kanë rezultuar pa sukses. Të përlotur ata fillimisht kanë vënë në dijeni pronarin e galerisë, Petrit Doda dhe pastaj është vënë në dijeni dhe policia e qytetit, së cilës i është dashur të hetojë rastin e dytë për këtë vit dhe të 18-in nga janari i vitit 2008. Sapo viktima është nxjerrë nga galeria është dërguar në morgun e spitalit të qytetit. Aty janë ndodhur shumë shpejt njerëzit e afërm të viktimës, minatorë të minierës kryesore të Bulqizës, qytetarë, efektiva të policisë lokale, pronari i minierës ku ndodhi ngjarja tragjike, etj. Po hetohet nëse punëtorët ishin trajtuar për rregullat e sigurimit teknik, nëse ata ishin të siguruar, cila ishte përvoja e tyre në punë, a ishte kontrolluar më parë fronti i punës, etj.
Viktimat
Megjithëse në harkun e 20 muajve janë shënuar më shumë se 20 viktima, në minierat dhe stoqet e kromit ende nuk ka asnjë person të ndëshkuar ligjërisht për zbatimin e kushteve teknike në galeri, për investimet që duhet të kryenin në miniera, për plotësimin e kushteve të minatorëve, etj. Minatorët e vdekur dy vitet e fundit në minierat e stoqet e Bulqizës janë: Avni Duriçi, Besnik Alliu, Zaim Hysa, Hysen Elezi, Medi Jani, Sami Doga, Hekuran Gjata, Njazi Alliu, Përparim Haslika, Haki Kotja, Hamit Bulqiza, Ivzi Veseli, Nevruz Gjoka, Mehmet Rama, Arjan Duva, Enver Karaj dhe Behar Toçi.
Socialistët
Anëtari i Asamblesë Socialiste, Ilir Gjoni denoncoi dje qeverinë për indiferentizëm ndaj humbjes së jetëve të minatorëve në Bulqizë. “Humbja e jetës së minatorit Behar Toçi nuk mund të konsiderohet më si aksidentale, ajo dhe 19 jetët e humbura më parë në këtë minierë janë kronikë e vdekjeve të paralajmëruara dhe shembull i qartë i paaftësisë, indiferencës dhe heshtjes vrastare të qeverisë. Kjo shpjegon edhe indiferencën e kryeministrit Berisha për t’iu përgjigjur thirrjeve të Opozitës për të dhënë llogari para Kuvendit lidhur me këtë shqetësim”, tha përfaqësuesi i PS-së.