E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sondazhet e komisionuara nga të tretë!

Dritan Ylli 

Një zë zyrtar i kompanisë  “Zogby”, duke iu përgjigjur interesimit të LSI, ka konfirmuar dje se mbledhja e informacionit për sondazhin e publikuar nga kjo kompani, është bërë nga partnerë lokalë. Kompania nuk ka pranuar të japë emrin e partnerit lokal, që ka ofruar lëndën e parë për sondazhin që shpallte fitues Partinë Socialiste, duke theksuar edhe më shumë hijet e dyshimit se derisa gjithçka sot mund të blihet, pse jo dhe sondazhet?!Në këtë mënyrë objektiviteti i rezultatit, që duhet të jetë tempulli i çdo sondazhi, implikohet me emocionet dhe dëshirat e shqiptarëve të kontraktuar nga kompania, ose anasjelltas.
Një tjetër sondazh i përgatitur nga shqiptarë prej Kosovës të Gani Bobit, nxorën fitues Partinë Demokratike. Vetëm një ditë përpara shpalljes së rezultateve të sondazhit të kompanisë “Zogby”, krejt papritur, në mënyrë jotransparente Gani Bobi shpejtoi të publikonte rezultatet e sondazhit të tij, i kryer që në muajin dhjetor, por i arkivuar për “ditë të vështira”. Dhe dita e vështirë erdhi…
Kemi këtë situatë. Dy kompani të kontraktuara secila nga një televizion për hesap të vet nga njëra anë dhe shqiptarët që patën fatin të njihen me dy sondazhe të komisionuara nga të tretë, rezultatet e të cilave ishin shumë larg njëra-tjetrës. Të dy sondazhet kishin të ndryshme vetëm shifrat, kurse qëllimin e kishin të përbashkët; të nxirrnin fitues me çdo kusht porositësin. Sondazhet mesa duket ishin produkt thjesht i një materiali me porosi, duke iu përgjigjur fatkeqësisht synimit jo për të dhënë trendin real të opinionit, por për ta manipuluar atë. 
Kompania amerikane “Zogby”, duket qartë se është porositur nga Edi Rama, përmes “marifetçinjve” të tij, të interesuar për të krijuar një realitet tjetër nga ai i mirëqenë. Me shpresën që të ndalin sadopak rrjedhjen e elektoratit të zhgënjyer të PS nga gafat e rënda politike të lidershipit aktual dhe ndoshta të tromaksur që nga koha e prishjes së Zogut të Zi, të kompleksuar gjetën “Zogby”-n, që gjasme t’i shpëtojë. Sondazhi i porositur nga Rama natyrisht që nxori fitues vetë Ramën dhe partinë Socialiste dhe kështu me gjasë do të ndodhë edhe në muajt që do të vijojnë. Askush nuk priste ndonjë surprizë nga sondazhi i “Zogby”, pasi të gjithë ishin të bindur se porositësi Rama do të korrte patjetër “fitoren Zogby”. Por, të tilla forma, janë thjesht iluzive. 
Moda e sondazheve tashmë duket se do të vazhdojë gjatë ku elementë të ndryshëm, do të sjellin rezultatet që kërkojnë porositësit. Duket i drejtë konkluzioni i arritur nga një e përditshme shqiptare, e cila konstatonte se sondazhi i “Zogby”-t duket që ka ardhur si peshqesh për kryesocialistin Rama në një moment tepër të vështirë politik për të. Partia Socialiste nuk ka qenë ndonjëherë më e përçarë se sot dhe elektorati i saj ka një rrjedhje të ndjeshme, drejt LSI që është një garanci më e madhe për mbrojtjen e interesave të socialistëve dhe të majtëve kudo që janë. Pikët e Ramës prej kohësh njohin vetëm rënie, por këto janë thelluar më shumë pas denoncimit të aferave korruptive të tij dhe pas pazareve të shumta me Berishën, në kurriz të interesave të qytetarëve.
Një sondazh i bërë nga një kompani amerikane, me shqiptarë, sigurisht që nuk mund të jetë i pandikueshëm. Për më tepër që thuhet se janë anëtarë të G99, të punësuarit e kompanisë “Zogby” për mbledhjen e të dhënave.
Dyshimit mbi vërtetësinë e sondazhit i shtohen edhe disa të dhëna që ofrohen për vetë kompaninë “Zogby”. Kjo kompani rezulton të ketë ofruar rezultate mjaft larg të vërtetës në vende të ndryshme të botës, ku ata janë kontraktuar për të ofruar shërbimin e tyre në sondimin e opinionit publik në situata parazgjedhore. Një shembull konkretizues i kësaj janë zgjedhjet presidenciale të Brazilit të vitit 2006, ku njërin kandidat “Zogby” e vlerësoi me 20% më pak! Për të qenë më të saktë, ky vlerësim iu rezervua kandidatit presidencial Geraldo Alckmin, i cili fitoi 42 për qind nga 22 për qind që parashikoi “Zogby”. Sondazhi mund të ishte më pranë të së vërtetës, nëse marzha i gabimit prej 20 për qind, të ishte tek LSI, të cilën Zogby e ka vlerësuar me 5 për qind. Logjika e fakteve të çon në një përfundim të tillë, pasi nga sondazhe të tjera të publikuara të bëra jo nga shqiptarë, LSI mësohet të jetë në kuotat 25-28 për qind.
Më bajat në plot kuptimin e fjalës, është sondazhi i Gani Bobit, i porositur nga partia në pushtet dhe shumë larg të vërtetës. Gani Bobi nxjerr fitues me 49 për qind PD, që është partia në pushtet, në një kohë kur të gjithë treguesit makro të qeverisjes dhe ecurisë së demokracisë dhe shtetit ligjor në vend, janë më të përkeqësuar se kurrë.
Ndërkohë që më shumë se një milion shqiptarë jetojnë në varfëri të skajshme, kur Shqipëria renditet ndër tre vendet më të korruptuara në botë, kur vlerësohet si një vend me regjim hibrid, me demokraci joliberale, kur FMN raporton për një rënie të theksuar të rritjes ekonomike të deklaruar nga kryeministri, kur janë intensifikuar deklaratat e ndërkombëtarëve kundër veprimeve të gabuara të kësaj qeverie, ndjesia e opinionit publik nuk mund të jetë kaq e pandjeshme, saqë të japin pëlqimin bindshëm për  partinë që drejton qeverisjen e gjithë këtyre të këqijave. Por, Gani Bobi ka mendimin e vet, PD është jo më pak se 49 për qind. Shumë e çuditshme, për të qenë e vërtetë!!
Ekspertët e sondazheve kanë përcaktuar se shpeshherë sekreti që qëndron në thelb të kaq shumë gafave “shkencore”, qëndron në faktin se një numër i madh sondazhesh parazgjedhore përdorin metoda preferenciale, anketues te keqpërgatitur, ose standarde mjaft të debatueshme. Ndërsa një ndër analistët pranë kabinetit të kryetarit të PS, duke bërë avokatinë e sondazhit të “Zogby”-t, shkruante se “standardi i ‘Zogby’-t është standard amerikan dhe si i tillë, pa më të voglën ndjenjë inferioriteti ndaj asaj që paketohet nën flamurin me vija dhe yje, mund të thuhet se ai respekton disa norma që i tejkalojnë parametrat shqiptarë të fushës në fjalë. Mesa duket ai nuk ishte njohur ende me faktin që u përmend që në krye të këtij shkrimi. Në këtë rast amerikanët kanë dhënë vetëm flamurin, kurse shkopin për ta valëvitur e kanë mbajtur persona sërish të parametrave shqiptarë. 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›