E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përleshja mes nxënësve, takime me psikologët

 

FIER – Përleshja masive e nxënësve të 9-vjeçares në qytetin e Fierit ka sjellë shqetësim për banorët. Debate të ashpra ka shkaktuar sherri i të miturve dhe për sa u përket marrëdhënieve prind–institucion shkollor, në këtë rast shkollat “Mark Dashi” dhe “Andon Xoxa”. Ditën e djeshme ka qenë Drejtoria Arsimore ajo që ka thirrur në mënyrë urgjente krerët e shkollave përkatëse, ndërsa u ka tërhequr vëmendjen që gjithçka e ndodhur të dokumentohej dhe të servirej në një relacion me shkrim. Kryeinspektori në Drejtorinë Arsimore rajonale, Ilir Lugaj pohoi se ka pasur angazhim të menjëhershëm për të marrë masa mbi atë që ndodhi. “Edhe pse ngjarja u shënua jashtë orës së mësimit ne kushtëzoheshim që të vepronim. Ne kemi kërkuar takime të veçanta të mësuesve, prindërve dhe psikologëve në shkollat përkatëse. Të gjithë së bashku kemi rakorduar punët që gjithçka të disiplinohet nëpërmjet miredukimit dhe në prani të psikologut t’u tërhiqet vëmendja. Ky rast edhe pse nuk shënoi viktima dhe ishte sporadik, nga ne është konsideruar i rëndë dhe me kompetencat që na jep institucioni do të veprojmë. Faza e parë është bindja nëpërmjet argumentit”, ka deklaruar Lugaj. Sipas tij, nuk bëhet fjalë për përjashtime të nxënësve iniciues të ngjarjes. Gjatë ditës së djeshme, mësimi është zhvilluar normalisht në të dyja shkollat dhe nuk janë shënuar incidente të tjera.                                                                     m.r

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›