Prokuroria: Urdhri që fajëson Mediun e gjeneralët
Trazhgim Sokolaj
Prokuroria e Përgjithshme po kryen veprimet e fundit me dosjen “Gërdeci”, e cila së shpejti pritet të dërgohet në gjykatë me 40 të pandehur mes të cilëve edhe ish-ministri i Mbrojtjes Fatmir Mediu. Ky i fundit është deklaruar i pafajshëm, duke pohuar se përgjegjësia e tragjedisë qëndron tek strukturat e ushtrisë, por duket se prova më e fortë në duart e Prokurorisë, i implikon në të njëjtën masë të dyja palët. Duhet të jetë pikërisht ai fakt, që shkaktoi “furtunën” e ditëve të fundit, e cila nuk kurseu ish-kupolën drejtuese të Ministrisë së Mbrojtjes porse as ish-krerët më të lartë të Shtabit të Përgjithshëm, katër gjeneralë dhe tre kolonelë. Burime të Prokurorisë së Përgjithshme, pohojnë se ish-ministri i Mbrojtjes Fatmir Mediu është marrë i pandehur për “shpërdorim detyre” dhe po hetohet për “favorizim e shkelje të barazisë në tenderë” për 20 shkeljet e listuara në kërkesën e drejtuar Kuvendit në prill 2008 për heqje imuniteti. Mirëpo konkretisht, urdhri nr.2044 i firmosur nga ish-ministri më 7 dhjetor 2007 është prova kryesore në ngarkim të tij. Prokuroria pretendon se urdhri në fjalë, i cili mban firmën e Mediut është marrë në kundërshtim me një vendim Qeverie që ka forcën e ligjit, i cili ndalonte kalimin e municioneve të rënda tek kompanitë private. Pavarësisht autorizimit për kalimin e predhave tek privati, Ministria e Mbrojtjes akuzohet për një shkelje tjetër, atë të dhënies së këtij municioni për demontim nga një subjekt, që nuk kishte licencë e si rrjedhim as garanci e kushte për një aktivitet të tillë. “Pika 1 e urdhrit në fjalë që është firmosur nga ish-ministri, ku parashikohet kalimi i sasive dhe llojeve të municioneve të kalibrave 20-152 mm sipas aneksit “A” bashkëlidhur, ndërmarrjes MEICO, bie në kundërshtim me pikën IV/1 të Vendimit të Këshillit të Ministrave, nr.138, datë 14 mars 2007, ku parashikohet se Ministria e Mbrojtjes mund të realizojë shitjen me qëllim çmontimi dhe çmilitarizimi të municioneve stoqe të vjetruara të kalibrave të vegjël për subjektet private. Urdhri në fjalë i firmosur nga Mediu urdhëronte ushtrinë që të dërgonte në drejtim të Gërdecit, aty ku vepronte subjekti privat SAC-”Albademil”, sasi municionesh të kalibrave 20-152 mm. Municione të tilla të rënda, sipas prokurorisë u bënë shkak për grumbullimin e sasive të mëdha të barutit në Gërdec, për shkak se predhat e kësaj madhësie përmbanin më shumë sasi mbushjeje. Baruti i dalë nga demontimi nuk u pastrua ndërsa ditën e tragjedisë më 15 mars 2008, mbi 700 tonë barut të grumbulluar në të djathtë të fabrikës së çmontimit, shkaktoi atë shpërthim të shfaqur botërisht si një kërpudhë, vala e të cilës shkaktoi 26 të vdekur, 300 të plagosur e shkatërroi 5 mijë shtëpi. Urdhri me të cilin prokuroria fajëson ish-ministrin Mediu është argumenti me të cilin fajësohen edhe ushtarakët dhe gjeneralët, pasi ata në fakt kanë qenë hartuesit e një dokumenti të tillë. I cili ndodhet i sekuestruar në dosjen “Gërdeci” duke bërë përgjegjës ushtrinë për formulimin e tij, por edhe Ministrin që ka hedhur firmën, duke “miratuar” përmbajtjen e dokumentit që i hapi rrugën për në Gërdec predhave të artilerisë së rëndë që shkaktuan shpërthimin.
Mediu akuzoi ushtrinë për hartimin e urdhrit
TIRANE – Ish-ministri i Mbrojtjes Fatmir Mediu, ka fajësuar strukturat e ushtrisë për hartimin e urdhrit nr.2044 duke pohuar se specialistët dhe efektivat e Forcave të Armatosura ishin përgjegjës për të njohur situatën në imtësi dhe për zbatimin e rregulloreve ushtarake. Megjithatë, Proku-roria e Përgjithshme konfirmoi se firmosja e një urdhri të tillë nuk ka qenë e detyrueshme për Ministrinë e Mbrojtjes, e cila duhej të kishte verifikuar ligjshmërinë dhe përputhshmërinë e dokumentit me rregulloret e ushtrisë, VKM-të dhe ligjet në fuqi e më pas të kishte realizuar firmosjen e saj për t’i hapur rrugë kështu zbatimit në terren. Organi i akuzës konfirmoi se urdhri në fjalë, implikon njësoj si strukturat e ushtrisë, ashtu edhe ish-zyrtarët e Ministrisë së Mbrojtjes.
Çaushi në prokurori, merret i pandehur
TIRANE – Ish-shefi i Drejtorisë Logjistike në Shtabin e Përgjithshëm të Ushtrisë Dashnor Çaushi, u paraqit dje në Prokurorinë e Përgjithshme. Ai qëndroi në organin e akuzës për më shumë se një orë, ku është njohur me akuzën “shpërdorim detyre”. Lajmi konfirmohet nga burime zyrtare të prokurorisë sipas të cilave, ish-zyrtari i Shtabit të Përgjithshëm i cili nuk arriti të paraqitej një ditë më parë siç ishte thirrur, u ballafaqua dje me prokurorët, të cilët i komunikuan veprën penale që i atribuohet. Në organin qendror të akuzës mësohet se dje janë paraqitur edhe dy financiare të ndërmarrjes MEICO të cilat janë marrë në pyetje lidhur me veprime konkrete të kryera mes kësaj ndërmarrje dhe kompanive private që ishin angazhuar në Gërdec. Mësohet se bashkimi i kompanive SAC-”Albademil” ka vazhduar punën për më shumë se një vit pa bërë asnjë derdhje financiare në arkën e ndërmarrjes MEICO, Ministrisë së Mbrojtjes dhe ushtrisë. Çaushi është zyrtari i 12-të që merret i pandehur në Prokurorinë e Përgjithshme. Asnjëri nga zyrtarët e pandehur mësohet se nuk është njohur me detajet e akuzave që janë ngritur ndaj tyre. Prokuroria mësohet se u ka komunikuar akuzat personave të pandehur, duke u pohuar se akuzohen për kryerjen e veprës penale shpërdorim detyre në bashkëpunim, por më pas prokurorët kanë qenë të rezervuar në dhënien e detajeve. Prokuroria mësohet se nuk ka bërë me dije asnjë rrethanë, dëshmi apo fakt që fajëson të akuzuarit për shkak të ruajtjes së sekretit të hetimit derisa dosja penale të dërgohet për shqyrtim në Gjykatë. Fashikulli voluminoz pritet të shkojë për shqyrtim në Gjykatën e Lartë si institucioni kompetent për gjykimin e personave me cilësi të veçanta siç është ish-ministri Fatmir Mediu. tr.so
Bode: BB do ju rrëzojë akuzat
Ministri i Financave, Ridvan Bode ka debatuar me deputetin e PS-së, Taulant Balla në lidhje me projektin në zonën e Jalës, si dhe me prishjen e ndërtimeve pa leje. “Së shpejti Banka Botërore do të dalë me një deklaratë për publikun dhe do t’jua rrëzojë të gjitha pretendimet, në lidhje me raportin e panelit të Bankës Botërore”, deklaroi Bode. Ministri i Financave u shpreh se “raporti i nxjerrë nuk ka të bëjë me problemet në Shqipëri, por me problemet në Bankën Botërore”. Ndërsa Balla u shpreh se “pas këtij projekti gjithçka lidhet me familjen e Kryeministrit Berisha”.
Luan Hoxha, dy orë e 30 minuta para prokurorëve, analizë dëshmisë
TIRANE – Tri ditë më parë ndërsa u mor i pandehur për shpërdorim detyre lidhur me tragjedinë e Gërdecit, ish-shefi i Shtabit të përgjithshëm Gjeneral-lejtnant Luan Hoxha, qëndroi në zyrat e prokurorëve për më shumë se 2 orë e 30 minuta. Burime zyrtare nga prokuroria konfirmojnë se ish-zyrtari i lartë i Forcave të Armatosura ka dhënë deklarime të reja, të cilat është e nevojshme të analizohen dhe të verifikohen nga organi i akuzës. Dëshmia e dhënë nga gjenerali mësohet se ka qenë voluminoze dhe e detajuar duke hedhur përgjegjësinë kryesisht mbi Ministrinë e Mbrojtjes dhe instancat vendimmarrëse, që kanë hartuar kuadrin ligjor për veprimtarinë e Forcave të Armatosura në Gërdec. Grupi i hetimit mësohet se ka vendosur të verifikojë të dhënat e reja të mësuara nga gjenerali Luan Hoxha, i cili menjëherë sapo është marrë i pandehur ka kërkuar të japë deklarime për çështjen. Ish-kreu i Shtabit të Përgjithshëm mësohet se ndër ushtarakët është personi që ka pasur kompetencat më të mëdha, por edhe sasinë më të madhe e më të larmishme të informacionit lidhur me gjithçka ka ndodhur në Gërdec, që nga personat e angazhuar aty, kushtet e punës e deri tek imtësi, që lidheshin me demontimin e municioneve. Gjeneral-lejtnant Luan Hoxha mësohet se ka treguar para prokurorëve se ushtria ka zbatuar vetëm ligjet dhe urdhrat në fuqi, duke bërë përgjegjës në këtë mënyrë dikasterin e Ministrisë së Mbrojtjes dhe zyrtarët e ish-zyrtarët e këtij institucioni bazuar në procedurën penale prokuroria tha se ka ndaluar me qëllim verifikimin e rrethanave të reja të treguara nga gjenerali Hoxha me qëllim verifikimin e tyre për hetimin e çështjes. Sipas prokurorisë disa prej të dhënave të marra nga gjenerali kanë qenë të panjohura më parë për organin e akuzës dhe për këtë shkak është parë e nevojshme verifikimi i tyre. Pas ish-shefit të Shtabit të Përgjithshëm mësohet se ushtarakët e tjerë kanë refuzuar të japin deklarime, ndërsa avokatët e tyre sipas të dhënave zyrtare mësohet se janë duke përgatitur kërkesat procedurale për t‘ia drejtuar prokurorisë me qëllim njohjen me provat e fashikullit të ashtuquajtur “Gërdeci”. Avokatët mësohet se janë duke mbledhur edhe vendimet gjyqësore për tre të arrestuarit e tragjedisë Ylli Pinari, Dritan Minxolli dhe Mihal Delijorgji për të mësuar ndonjë hollësi të hetimit. tr.so
Akuza, Mediu: E kuptoj edhe luftën brenda llojit
BLEDAR HOTI
Ish-ministri i Mbroj-tjes, Fatmir Mediu, i cilëson akuzat e Prokurorisë së Përgji-thshme si një proces i montuar politikisht. Deputeti republikan ka mbrojtur në aulën e Kuvendit akuzat e bëra nga Prokuroria e Përgjithshme në lidhje me çështjen e “Gërdecit”, duke i cilësuara si të montuara politikisht. “Kam duruar çdo akuzë për shkak të atyre viktimave që duan zbardhjen e të vërtetës dhe kam vepruar në mënyrë institucionale, sepse respektoj institucionet e këtij vendi. Për shpifjet në media ndaj personit tim, unë i jam bindur vullnetit të maxhorancës dhe nuk kam kërkuar ndjekje penale për asnjë, pavarësisht se shpif. Por media është njëra anë, nëse Prokuroria kthehet në instrument të politikës, kjo jo vetëm që është e turpshme, por është e rrezikshme”, deklaroi Mediu. Kryerepublikani ka theksuar më pas se “nga mënyra sesi u iniciua procesi dhe si u hetua, nuk prisja gjë tjetër, përveçse një procesi të motivuar politikisht por dhe pse kisha bindje, besoj se me dorëheqjen dhe lënien e imunitetit kam bërë detyrën time. Dhe nuk kisha asgjë tjetër në dorë përveç kësaj, të dorëzoja detyrën e Ministrit të Mbrojtjes dhe të lija imunitetin për t’i shkuar së vërtetës deri në fund”. “Po të doja të fshija këtë të vërtetë do të kisha qëndruar si Ministër i Mbrojtjes dhe nuk do të kisha dorëzuar imunitetin. Ky proces nuk duhet të shndërrohet në një farsë dhe besoj se gjykata do të gjykojë me drejtësi, ligjshmëri dhe ndershmëri dhe në emër të atyre viktimave”, tha më pas Mediu. Deputeti republikan ndërkaq nuk ka lënë pas edhe akuzat e bëra në adresë të tij, duke i cilësuar se ato vinin edhe si pasojë e luftës brenda llojit. “Kam qenë pjesë e politikës shqiptare që në fillim të viteve 1990, arrij natyrisht të kuptoj dhe të njoh edhe koniunkturën politike dhe luftën politike ndërmjet palëve dhe brenda llojit. Kam dëgjuar me durim edhe fyerje të ndryshme dhe trillime të qëllimta, jo rrallë përçoheshin në media për të manipuluar më tej, apo manipuloheshin për të ardhur në gjykime politike”, deklaroi Mediu. Sipas tij, gjatë kësaj periudhe të hetimit, “zelli dhe tendenca e prokurorisë ishte e pamasë”. “Edhe pse ju të nderuar kolegë deputetë më kufizuat imunitetin për shpërdorim detyre, ata nuk përtuan të rendin dhe të bëheshin pjesë e manipulimit, duke kërkuar deri në detaje elementë të jetës sime familjare, të problemeve të mija familjare. Më bënë pronar një herë të një restoranti në Bërzhitë, pastaj të fshati turistik, një herë të tokave në autostradë, pastaj tokave në aeroport, të kompanive që privatizohen, duke rendur pas çdo thashethemnaje dhe duke krijuar thashetheme dhe intriga të qëllimshme. Por provuan vetëm një gjë se nuk kam pasur as marrëdhënie më të vogël të paligjshme në këtë proces”, theksoi ish-ministri Mediu. Ai shtoi se vendimi i Prokurorisë nuk ishte i papritur dhe se gjithçka bëhet jo për të zbardhur të vërtetën, por thjesht për të dërguar në gjykatë 20 persona. “Fillimisht Prokuroria më akuzoi se nuk kisha bashkëpunuar me Forcat Armatosura, dje ajo ndryshoi akuzën, duke më akuzuar tashmë se kam bashkëpunuar me ushtarakët në Ministrinë e Mbrojtjes. Po kam bashkëpunuar me ushtarakët në Ministrinë e Mbrojtjes, pasi kjo ka qenë pjesë e detyrimit tim ligjor, e detyrimit tim në funksionet si ministër”, deklaroi Mediu.