E Diel, 1 Nëntor 2026

Mbi vendimin e fundit të prokurorisë

Mentor Nazarko 

Vendimi i fundit i Prokurorisë së Përgjith-shme shënon një akt epokal në historinë e shtetformimit apo shtetndërtimit shqiptar. Për herë të parë në historinë pluraliste të vendit, lidhur me një ngjarje me sfond ... të pranuar gjerësisht si sfond kriminal, vendosen me statusin e të pandehurit kupola e një ministrie të rëndësishme si ajo e Mbrojtjes, përfshi titullarin e saj dhe kupola e ushtrisë shqiptare. Marrja e një vendimi të tillë dy muaj para se Shqipëria të bëhet anëtare e NATO-s, i jep kësaj ngjarjeje dhe të gjitha ngjarjeve që do ta pasojnë, një sfond goxha të veçantë. Në fund të fundit ato po tregojnë diçka qoftë dhe indirekt se kujt i takojnë më së shumti meritat e anëtarësimit: prirjes properëndimore të popullit shqiptar dhe vullnetit të vendeve kryesore të NATO-s për të përfshirë Shqipërinë. Por kjo është një temë tjetër.
Për këtë arsye kjo ngjarje meriton vëmendje të jashtëzakonshme. Shikuar me vëmendje, prej këtij vendimi të prokurorisë mund të nxirren disa përfundime.
Së pari, kjo dëshmon apo duhet të sjellë forcimin e prokurorisë në një nivel të ri. Ky forcim nuk ndodh për shkak të partisë politike që ndodhet aktualisht në pushtet, por për shkak të imponimit të sistemit politik ku kemi hyrë dhe zgjedhjeve të arsyeshme që kanë bërë në vendosjen e njerëzve në krye të prokurorisë dhe mbështetjen e tyre nga presioni i politikës prej krerëve të shtetit, domethënë presidentët e radhës, Meidani, Moisiu dhe Topi. Kurajoja që kanë treguar prokurorët tani, ndërsa morën këtë vendim nuk lidhet domosdoshmërisht me kurajën e Ina Ramës (por edhe me të sigurisht). Ajo është pasojë e sistemit institucional të ideuar nëpërmjet kësaj kushtetute, që prodhon një aleancë natyrale midis disa prej pushteteve kryesore të shtetit si Presidenti, gjykatat, Prokuroria, Kontrolli i Lartë i Shtetit, SHISH, etj. Imponimet kushtetuese të përkthyera në ligje konkrete dhe të zbatuara nga njerëz të caktuar në krye të saj që kanë inkurajuar vetëveprim, distancim nga politika në pushtet, kanë prodhuar kurajën aktuale të prokurorëve, që hodhën firmën në vendimin për të shpallur të pandehur figura kaq të rëndësishme të politikës. E kishim parashikuar këtë situatë ndërsa diskutonim për atë nëse Berisha i sotëm do të prodhonte një shtet të ngjashëm me atë të viteve '92-'97. Thamë atëherë se sistemi institucional i krijuar nëpërmjet kësaj kushtetute, evoluimi shoqëror, përparimi i medias nuk do ta lejonin përsëritjen e atij shteti. Kishim të drejtë: si rezultat kemi krijimin brenda shtetit të disa qendrave të pushtetit që ndonjëherë janë antagoniste me njëra-tjetrën, por që ama nuk çojnë në anarkinë e tij, përkundrazi në forcimin e shtetit. Parë kështu, kjo ngjarje shënon ngjitjen në një nivel të ri të shtetit shqiptar kah modernizimi i tij. Ajo shënon kalimin e njëlloj pragu të rëndësishëm frike prej prokurorisë prej pushtetit politik, megjithëse kjo puna e pragjeve nuk është dhe aq e thjeshtë. Mund të vendosen pragje të tjera, pra mund të kemi frikësime apo inkurajime të reja të prokurorisë: përplasja e Sollakut me shumicën ishte gjithashtu, kalim i një pragu dhe kontribut në këtë inkurajim, ishte njëlloj vendosje steke për kurajën e pasardhësit.
Kundërvënia me çdo kusht ndaj këtij realiteti të ri shtetëror nga ana e kryeministrit Sali Berisha dhe shumicës që ai kryeson, nuk ka sjellë shkatërrimin e shtetit, por dialektikën normale institucionale për një vend demokratik, megjithëse gjetkë kjo dialektikë prodhon rezultate të tjera. Ta zëmë në Itali, Berluskoni, i adhuruari i Berishës, nuk mendon të shpikë ligjin e Lustracionit për të përzënë prokurorët, por të pajisë me një imunitet të veçantë krerët e shtetit. Fatmirësisht dialektika institucionale shqiptare e shënjuar prej protagonizmit ekstrem të kryeministrit Berisha, i cili rreket të shtjerë në kontroll të gjitha këto institucione sipas dhe një prirje natyrale të pushtetit politik mbetet në kontroll brenda disa linjave të lejuara. Shteti arrin të funksionojë megjithë situatat jonormale, që degjenerojnë në mungesën e takimeve fizike midis krerëve të institucioneve tona për shkak të intolerancës së kryeministrit.
Pasojat e kundërvënies politikë-prokurori
Por ama kjo dialektikë ka disa pasoja dhe këtu arrijmë në një përfundim tjetër. Si pasojë e presionit të tmerrshëm mbi prokurorinë me të gjitha llojet e armëve propagandistike, me modifikime ligjore,(ligji i Prokurorisë, ai i Lustracionit) ndryshimet kushtetuese (vendosja e një mandati  5 vjeçar), duket se ka pasur njëlloj tutje të organit të akuzës. Kështu për shembull, në lidhje me çështjen e rrugës Durrës-Kukës, pati vonesa dhe hezitime që çuan në problemet legale që po diskutohen tani në gjykata të nivelit të ndryshëm apo në trimërimin e politikës. Po ashtu, në çështjen e Gërdecit duket se presioni politik arriti që të imponojë shkëputjen e çështjes së vrasjes së 26 vetëve nga trafiku i armëve, megjithëse ekzistojnë dëshmitarë që pretendojnë se në Gërdec bëhej gjithashtu trafik fishekësh. Falë presionit politik nuk u thirrën para hetuesve me asnjëlloj statusi individë të caktuar të përfolur si të lidhur me çështjen, dhe përgjithësisht prokuroria respektoi prioritetet e politikës duke mos i thirrur vend e pa vend "të pandehurit prej saj". Prokuroria hezitoi të shpallte prej kohësh si të pandehur Mediun dhe pse jo dhe ushtarakët e lartë, por ama pozicionimet e fundit të kryeministrit Berisha se prokuroria po favorizonte ushtarakët dhanë një shkundje të re. Ato përshpejtuan procesin. Të gjithë u thirrën brenda afateve hetimore dhe askush prej palëve nuk pati skonto! Ky veprim i fundit i prokurorisë madje e la pa gojë politikën zyrtare që s'pati koment të ri apo leksion të ri për prokurorinë.
Ndërhyrja e fundit e kryeministrit që sulmonte ushtarakët duke i dhënë leksione prokurorisë, ndërsa pak më parë i kishte dhënë leksione Obamës për zgjidhjen e krizës globale apo kundërshtime ndaj FMN-së rreth krizës në Shqipëri, e solli thuajse të plotë listën e të pandehurve. Duke siguruar dhe dialektikën e nevojshme të gjyqit të ardhshëm ku palët do ia hedhin topin e përgjakur të përgjegjësisë njëra-tjetrës. Dhe ku e vërteta mund të dalë me të vërtetë në shesh. Një e vërtetë e plasur në fushatë elektorale, kohë kur gjyqi do të fillojë dhe do të jetë në fazën e dëshmitarëve me siguri do të ketë dhe efekte elektorale.
Presioni politik i kryeministrit mbi prokurorinë, presion i pandërprerë me goditje të gjithfarëllojshme pati dhe do të ketë një efekt tjetër pozitiv. Prokuroria, titullarët e saj do të ndihen të vëzhguar rreptësisht në punën e tyre dhe nuk mund t'i lejojnë vetes të godasin kaq lart dhe ndërkaq të rrëshqasin lehtësisht në pazare të pista me njerëzit e krimit. Pushtetet në demokraci kontrollojnë njeri tjetrin dhe arrestimi i një prokurori në Elbasan apo shkrime të caktuara për korrupsionin e krerëve të prokurorisë janë njëlloj parathënie e asaj sesa e vështirë është të jesh prokuror në Shqipëri.
Vendimi i fundit i prokurorisë mbase nuk është ende shpagimi i duhur për jetën e viktimave të pafajshme, por gjithsesi njëlloj premtimi se diçka do bëhet për shtetin e tyre. Dikush do të paguajë përgjegjësitë sipas ligjit, dikush tjetër sipas verdiktit të popullit. Sepse Gërdeci ishte dhe përgjegjësi politike.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›