E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bulqizë, vetëdigjet me benzinë nga varfëria

 BULQIZë- Djeg veten nga varfëria. Një 33-vjeçar nga Bulqiza humbi jetën në spitalin ushtarak të Tiranës, për shkak të plagëve të rënda. Ajaz Duriçi, baba i fëmijëve të vegjël i ka vënë zjarrin vetes në orët e para të mëngjesit të dy ditëve më parë. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 02:00, kur sapo ka zënë gjumi të shoqen, Zyranë, ai ka lyer trupin me benzinë. Pak çaste më vonë gruaja 28-vjeçare ka ndjerë erën e benzinës, duke u zgjuar e alarmuar nga ajo çka po shihte. Me shpejtësi ka lajmëruar komshinjtë dhe njerëzit e saj të afërm. Ashtu i përfshirë në flakë, kryefamiljari ka tentuar të pengojë të shoqen që të njoftojë personat e tjerë për ta shpëtuar. Ulërimat e gruas dhe më pas të fëmijëve të mitur kanë bërë që shpejt të mbërrijnë në shtëpinë e Duriçit komshinjtë e tyre. Ata kanë arritur të shuajnë flakët me batanije dhe mjete rrethanore dhe e kanë dërguar të dëmtuarin shpejt në spitalin e qytetit. Sipas mjekëve të këtij spitali djegia ka qenë e shkallës së tretë dhe për këtë arsye nuk kanë pasur mundësi t’i vijnë në ndihmë. Duriçi është dërguar në Spitalin Ushtarak të Tiranës për një mjekim më të specializuar, por mëngjesin e djeshëm jeta e tij është prerë në mes. Ai nuk u ka rezistuar plagëve të shumta në trup dhe djegieve të mëdha në pjesë të ndryshme. Fillimisht ka pasur hipoteza të ndryshme në lidhje me ngjarjen në fjalë. Sapo Duriçi është dërguar në spitalin lokal kanë mbërritur atje oficerë të policisë gjyqësore. Dëshmitarja e vetme e kësaj ngjarjeje të rëndë ishte bashkëshortja e tij, e cila ka pohuar se Ajazi i ka dhënë fund jetës vetëm për arsye ekonomike. “Ajazi nuk kishte probleme mendore, por prej kohësh ai ishte mërzitur se nuk kishim çfarë të hanim, pinim e vishnim. Ishim të dy të papunë dhe hallet na kishin mbuluar në të katër anët. Ai kurrë nuk qe shprehur se do t’i jepte fund jetës në këtë mënyrë, madje thoshte se ndoshta do të gjente një vend pune dhe jeta do të ndryshonte”. Kështu është shprehur para oficerëve të policisë gjyqësore Dibër bashkëshortja e Ajaz Duriçit. Edhe të afërmit e vuktimës nuk kanë dhënë ndonjë version tjetër të ngjarjes. Ata nuk kanë ngritur ndonjë akuzë për persona të tjerë. Burime pranë policisë Bulqizë thanë se megjithëse 33-vjeçari ishte ende në jetë kur u dërgua në spitalin e Bulqizës ai nuk ka arritur të flasë dhe të thotë cilat ishin shkaqet e këtij vetësakrifikimi. Sidoqoftë specialistë nga policia rajonale Dibër thanë se hetimet vazhdojnë për të zbardhur të vërtetën e kësaj ngjarjeje që tronditi qytetin e vogël të Bulqizës.                                                   h.p

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›