Vrau në Itali, kapet në port i shumëkërkuari
VLORE – Arrestohet ndërsa kthehej nga Italia i shumëkërkuari për vrasje. Ylli Vangjeli, 33 vjeç u prangos në policia kufitare e portit të Vlorës. Ai rezulton i dënuar me 23 vite burg nga drejtësia italiane, i akuzuar se në bashkëpunim me të tjerë rrëmbeu një bashkëkombas në Itali, e vrau e më pas fshehu kufomën e tij. Policia e Vlorës sqaron se Vangjeli akuzohet se në vitin 2000 ka vrarë me armë zjarri shqiptarin, pas një konflikti mes viktimës dhe grupit të ekzekutorëve. Një vit më vonë, në vitin 2001, gjykata e Piacencës e dënoi atë me 23 vite burg. Pavarësisht se Vangjeli e ka apeluar vendimin, Gjykata e Apelit të Bolonjës në vitin 2003 e ka lënë në fuqi vendimin për 23 vite burg. Në vitin 2006 ka qënë Gjykata e Vlorës që ka njohur vendimin e gjykatave italiane, e cila kishte lëshuar urdhër-arrest ndërkombëtar për 33-vjeçarin nga Shqipëria. Në prill të këtij viti, në Prokurorinë e Vlorës kishin mbërritur dhe dokumentet e vendimit për të. Arrestimi i të kërkuarit, banor i lagjes “Pavarësia” në Vlorë u bë rreth orës 09:15 të mëngjesit të djeshëm. Ndonëse ai ka tentuar që të tregojë se nuk bëhej fjalë për personin e kërkuar, policia e Vlorës ka verifikuar identitetin e tij, duke e krahasuar me gjurmët e gishtave. q.b