E Diel, 1 Nëntor 2026

Moti i keq, humb jetën në aksident rrugor ish-deputetii PS-së, Lekë Çukaj

 FUSHE-KRUJE/ ROLAND NIKOLLINjë aksident i rëndë që ndodhi mbrëmë në autostradën Fushë-Krujë - Tiranë mori jetën e dy personave, njëri prej të cilëve ish-deputeti i PS-së, Lekë çukaj. Ngjarja e rëndë ndodhi rreth orës 19:30, në afërsi të fshatit Nikël. Dy autovetura tip “Benz” u përplasën duke sjellë vdekjen e 60-vjeçarit çukaj, si dhe të shtetasit Hasan Guçi. Sipas burimeve të policisë, të dy viktimat, drejtues të mjeteve të aksidentuara janë nxjerrë nga autoveturat e tyre nga kalimtarë të rastit, duke i dërguar në Spitalin Ushtarak në Tiranë. Por për shkak të plagëve të rënda, ata  ndërruan jetë gjatë rrugës. “Nga ky aksident kanë gjetur vdekjen ish-deputeti i Partisë Socialiste për Shkodrën, 60-vjeçari Lekë çukaj, i cili drejtonte autoveturën me targë TR 8959 A, si dhe Hasan Guçi, 58 vjeç, i cili drejtonte mjeti tjetër tip “Benz” me targë SH 0252 E”, bëri të ditur policia. Pak çaste pas përplasjes në vend mbërritën forca të shumta të Policisë së Rendit dhe të Rrugores. Ata bënë të mundur hapjen e autostradës, e cila u bllokua për pak minuta pasi “Benz”-i i ish-deputetit socialist kishte mbetur në mes të rrugës. Mjeti tjetër kishte dalë jashtë autostradës, duke përfunduar në një kanal. Mësohet se ish- deputeti po udhëtonte në drejtim të Tiranës, ndërsa viktima tjetër në drejtim të Shkodrës kur mjetet e tyre janë përplasur. Specialistët e qarkullimit bënë të ditur se paraprakisht dyshohet se shkak i aksidentit të rëndë ka qenë shpejtësia e madhe e dy mjeteve, reshjet e dendura të shiut, si dhe terreni i rrëshqitshëm e me mjegull. Lekë çukaj ka qenë deputet i Malësisë së Madhe në dy legjislatura, në vitet 1997-2001 dhe 2001-2005. Ai kandidoi edhe në zgjedhjet e korrikut të 2005-ës, por nuk arriti të siguronte mandatin e tretë. Në vitin 2009, çukaj iu bashkua PSV91, që drejtohet nga Petro Koçi. Në zgjedhjet e fundit të qershorit, ai ishte kandidat i këtij subjekti politik në qarkun e Shkodrës. Gjatë 2 legjislaturave të para, Lekë çukaj ka qenë deputet aktiv si në PS ashtu edhe në Parlament. Ai ka qenë i njohur si një nga mbështetësit e Nanos në debatet e fundit politike pas 2005-ës, ndërsa në legjislaturën e fundit si deputet i PS-së, ka qenë anëtar i komisionit të Mandateve në Parlament. Pak ditë më parë, në të njëtin aks rrugor humbën jetën gjashtë persona, pasi ambulanca e spitalit të Laçit u përplas me një “Benz”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›