Bulqizë, vret kunatin me gurë pas koke
Vrasësi dhe viktima ziheshin prej 11 vjetësh për dyshimin se fëmijët e tyre, vajzë e djalë, ishin ndërruar në maternitet
Viktima ka tentuar të vrasë me thikë fëmijën e vrasësit por në përleshje e sipër ka vdekur vetë
BULQIZË- Fiksimi i sëmurë i një babai për të pasur një djalë në vend të vajzës që i kishte lindur njëmbëdhjetë vjet më parë ka shkaktuar një tragjedi brenda familjes në një fshat të Bulqizës. Vladimir Lica është vrarë nga kunati i tij, Shefki Lila, pas një sherri për atësinë e fëmijëve të tyre. Viktima pretendonte se nusja e tij kishte lindur një djalë dhe jo një vajzë por me dijeninë e saj ia kishin ndërruar në maternitet. Fiksimi dhe xhelozia e viktimës janë rritur gjatë këtyre viteve deri sa dy net më parë ai ka tentuar të vrasë fëmijën 11-vjeçar por më pas ka gjetur vdekjen nga babai i tij. Burimet zyrtare të policisë pohuan se vrasja ka ndodhur në përleshje e sipër me një gur. Pak orë më pas policia ka arrestuar vrasësin Shefki Lila.
Historia
Njëmbëdhjetë vjet më parë bashkëshortja e Vladimir Licës ka lindur një vajzë. Ndërkohë që rreth dy javë më pas ka lindur edhe motra e tij, gruaja e Shefki Lilës. Kjo ka lindur një djalë. Fëmijët janë rritur gjatë të gjithë kësaj kohe në dy shtëpitë pranë njëri- tjetrit por Vladimir Lica ka jetuar me idenë se atij i kanë marrë djalin. Atij i është bërë fiksim ideja që fëmijët mund të jenë ndërruar në maternitet dhe se në fakt e shoqja ka lindur një djalë por ai i është “rrëmbyer” nga kunati, i cili i ka dhënë vajzën. “Ai pretendon se ndërrimi është bërë që në maternitet sapo kanë lindur fëmijët. Madje Vladimir Lica pretendon se ndërrimi i fëmijëve është bërë me dijeni të të shoqes dhe vëllait të saj. Për këtë gjë ata kanë pasur sherre të vazhdueshme në shtëpi”,- thanë dje krerët e policisë së Dibrës. Sipas tyre, rreth gjashtë vjet më parë, kanë nisur edhe sherre të ashpra mes dy familjeve që janë në krushqi me njëri- tjetrin.
Vrasja
Dy net më parë, Vladimir Lica ka ndaluar djalin e kunatit në rrugë dhe i ka thënë “ti je fëmija im por të kanë ndërruar në maternitet”. Sherri ka vazhduar më pas edhe në shtëpinë e tij ku, sipas burimeve të policisë, ai është zënë me të shoqen dhe me vajzën e tyre. Pas kësaj ai ka dalë nga shtëpia dhe ka shkuar në banesën e kunatit të tij, e cila ndodhet vetëm pak metra larg. “Vladimir Lica ka shkuar në shtëpinë e kunatit i armatosur me një thikë. Në debat e sipër ai ka tentuar që të vrasë djalin 11- vjeçar, të cilin pretendonte se ishte fëmija e tij. Në këtë moment ka ndërhyrë babai i djalit, Shefki Lila, dhe ka nisur përleshja. Në zënie e sipër Lila ka arritur të kapë një gur dhe ka goditur disa herë vëllanë e gruas së tij. Një prej goditjeve e ka kapur pas koke duke e lënë pa ndjenja dhe duke e plagosur rëndë. I plagosuri është dërguar në spital ku ka gjetur vdekjen rreth orës 05.30 të ditës së sotme (dje) si pasojë e goditjes me gurë pas koke”, -thanë dje burimet zyrtare të policisë së Dibrës. Sipas tyre, mjekët nuk kanë pasur asnjë mundësi për të shpëtuar viktimën pasi plaga që kishte marrë ishte tepër e rëndë. Gjergj Marku
Lindja
Njëmbëdhjetë vjet më parë bashkëshortja e Vladimir Licës ka lindur një vajzë. Ndërkohë që rreth dy javë më pas ka lindur edhe motra e tij, gruaja e Shefki Lilës. Kjo ka lindur një djalë
Dyshimi
Vladimir Lica ka dyshuar që në fillim se në të vërtetë nusja e tij ka lindur një djalë por ajo së bashku me të vëllanë i kanë ndërruar foshnjat kur ato ishin ende në maternitet
Konflikti
Gjashtë vite më parë, dyshimet janë kthyer në një “fobi” për Vladimir Licën, i cili ka nisur të zihet me bashkëshorten në lidhje me vajzën e tyre 11-vjeçare dhe atësinë e saj
Sherri
Dy net më parë, Lica ka shkuar në shtëpinë e Shefki Lilës dhe ka tentuar që të vrasë me thikë djalin e tij 11-vjeçar pasi mendonte se ishte fëmija që i kishin ndërruar në maternitet
Vrasja
Në sherr e sipër Shefki Lila ka marrë një gur dhe ka goditur disa herë kunatin e tij. Një prej goditjeve e ka çarë Licën pas koke dhe i ka shkaktuar vdekjen disa orë më pas në spital
HETIMI
Analiza ADN-je për të përcaktuar prindërit e fëmijëve
Policia lokale ka marrë dje dëshmitë e të gjithë anëtarëve të familjeve të implikuara në konflikt. Ata janë pyetur në lidhje me atësinë e fëmijëve. Burimet e policisë pohuan se nga të dhënat e para është mësuar fakti që dy fëmijët kanë lindur në një distancë prej dy javësh nga njëri- tjetri dhe nuk ka mundësi që të jenë ndërruar në maternitet. Për të verifikuar çdo gjë hetuesit kanë marrë edhe certifikatat e lindjes së dy fëmijëve. Sipas hetuesve që i kanë këqyrur certifikatat, rezulton se ato mbajnë distancën kohore për dy javë të lindjes së djalit dhe të vajzës, ndërsa pritet dhe ekspertiza më e thelluar mjekësore përmes ADN-së për prindërit dhe fëmijët. Kjo do të përcaktojë përfundimisht se cilët janë prindërit e dy fëmijëve 11- vjeçarë.