Gaçe: Ndërrimi i emrit vobektësi kulturore e historike
Albanologu dhe studiuesi i letërsisë kundërshton heqjen e emrit të Ismail Qemalit nga universiteti i Vlorës
VLORË- Prof. Dr. Bardhosh Gaçe, albanolog dhe studiues i letërsisë, njëkohësisht edhe pedagog në universitetin “Ismail Qemali” të Vlorës, pohon se kur ka marrë vesh për propozimin e rektorit, ka qenë jashtë Shqipërisë por është habitur tej mase. Profesori e ka konsideruar këtë veprim si një “vobektësi kulturore dhe historike” që duhet riparuar patjetër.
Zoti Gaçe, si e konsideroni këtë vendim për ndryshimin e emrit të Universitetit?
Vendimi është i gabuar dhe unë do ta quaja vobektësi kulturore dhe historike të anëtarëve të senatit, një pjesë e të cilëve janë edhe pa identitet si pedagog në këtë universitet. Për mua, pedagogët dhe studentët, nuk është problem emri i universitetit, pasi në kushtet e reformimit dhe thellimit të mëtejshëm të procesit arsimor kombëtar, ky universitet po ndeshet me mjaft probleme e vështirësi, duke nisur nga mjediset, auditorët, përzgjedhja e pedagogëve, degëve, si dhe lëndëve që i shërbejnë zhvillimit të shoqërisë shqiptare dhe vetë studentëve. Në këtë drejtim është bërë një punë e madhe deri tani, ka një punë tepër serioze shkencore, pedagogjike dhe akademike dhe vetë universiteti ka krijuar një fytyrë të re në përshtatje edhe me arsimin evropian.
Ky ndryshim është rastësor apo i paramenduar?
Kjo nuk është pjellë e mendimit të vetë universitetit, nuk mund të them se kishte për të një mendim të pjekur.
Ka kosto heqja e emrit të Ismail Qemalit?
Është një brez i ri tani që ndoshta ka edhe mangësi historike, dhe mbi të gjitha nuk kemi asnjë të drejtë të prekim dhe deformojmë emblemat e kombit.
Mendoni se mund të riparohet kjo gjë?
Unë kam mjaft besim që edhe rektori edhe senati, do të reflektojë dhe këtë gabim do ta rregullojë. Ky universitet u krijua vërtetë me 150 njerëz, por tani ka 15 mijë dhe kur u vu ky emër, u pyetën shumë akademikë. Nga disa degë u bë me fakultete, pra është një rritje masive.
Si mendoni për argumentin e rektorit se njihet më mirë universiteti në botë me emrin e Vlorës?
Njihet Shqipëria me emrin e Ismail Qemalit, jo më të vinim në dyshim për universitetin. Ismail Qemali njihet në gjithë kancelaritë e Europës dhe ky nuk ishte problemi për heqjen e emrit. Asnjë universitet në botë nuk e pengon emri. Ka plot të tillë që kanë emra dhe janë universitete të njohur në botë. Anila Peçi
REAGIMI
“Emri i Ismail Qemalit ka qenë përherë në këtë universitet një vlerë e respektuar edhe një krenari për të gjithë”
Pedagogët: Universiteti u rrit me emrin Ismail Qemali
VLORË- Ashtu si Gaçe, edhe shumë pedagogë të tjerë mendojnë se duke kaluar 15 vjet vetë universiteti i Vlorës u rrit dhe mori formë me emrin e Ismail Qemalit . Ai krijoi personalitetin e tij duke mbajtur këtë emër të nderuar. Këto ditë jo vetëm politikanët, intelektualët dhe qytetarë të thjeshtë por edhe vetë studentët dhe pedagogët e këtij universiteti, e pritën me çudi këtë vendim të senatit, i cili u duk pa kuptim. Mjaft prej pedagogëve dhe studentëve, ende pa u marrë vendimi i senatit, reaguan, qysh në diplomimin akademik 2007-2008. Sipas tyre, ky është dhe problemi më i madh i këtij universiteti që shefa seksionesh e departamentesh, anëtarë të këshillave të fakulteteve, apo të vetë senatit janë zgjedhur apo caktuar, në përshtatje me miqësitë që janë krijuar brenda këtij universiteti. “Emri i Ismail Qemalit ka qenë përherë në këtë universitet një vlerë e respektuar por edhe një krenari për çdo student dhe pedagog dhe kurrë nuk është vënë në dyshim prej tyre. Jo vetëm për kontributin e tij historik, por edhe si një intelektual dhe euridit, për të janë bërë mjaft sesione shkencore, botime dhe këto dëshmojnë dashurinë e thellë për këtë personalitet që është rrënjosur në universitet”,- thanë pedagogët.
Shoqëria civile kundër ndryshimit të emrit
Ndryshimi i emrit të universitetit “Ismail Qemali” të Vlorës është kundërshtuar edhe nga shoqëria civile. Intelektualë, qytetarë dhe shoqata të ndryshme kanë reaguar dje kundër këtij vendimi. Shoqata “Labëria”, shoqata e shkrimtarëve dhe poetëve, shoqata kulturore “Ismail Qemali”, shoqata “Vllazërimi Kuçiot”, shoqata “Çamëria”, shoqata “Cakrani”, shoqata “Kanina”, shoqata “Tërbaçi”, shoqata “Smokthina”, kanë shprehur indinjatën e thellë nga përbaltja e emrit të themeluesit të shtetit shqiptar. Të shumta kanë qenë edhe reagimet e studentëve, të cilët kanë protestuar edhe për mungesën e emrave në diplomë, duke dyshuar edhe për vërtetësinë e diplomave. Po të tilla reagime ka pasur edhe nga studentë e pedagogë nga qyteti i Fierit, të cilët e quajnë këtë vendim absurd. Reagime për emrin kanë ardhur edhe nga ana e Aleancës për Mbrojtjen e Gjirit të Vlorës. Në një deklarim për shtyp, në emër të Aleancës, Lavdosh Feruni, tha “jemi të indinjuar nga një diskutim i tillë që i është bërë kësaj figure të madhe për Shqipërinë. Ne kërkojmë menjëherë që një propozim i tillë të tërhiqet mbrapsht, pasi ai është një qëndrim antikombëtar”.