Elbasan, objektet pranë puseve nuk legalizohen
ELBASAN- Prefektura e Qarkut të Elbasanit në bashkëpunim me Agjencinë e Legalizimeve ka vendosur të heqë nga lista e legalizimit të gjitha objektet e ndërtuara në një rreze prej 100 metrash përreth pus-shpimeve që furnizojnë me ujë të pijshëm qytetin. Bëhet fjalë për rreth 50 shtëpi të familjeve të ardhura nga zonat rurale që kanë ndërtuar pas viteve 90-të në zonën e Krastës së Vogël ku edhe ndodhen puset e furnizimit me ujë të pijshëm të qytetit. Prefekti i Elbasanit, Shefqet Deliallisi, tha se janë marrë masa dhe nuk do të lejohet ndotja e ujit të pijshëm. Ai gjithashtu ka kërkuar që të ndërhyhet për të mos lejuar shkarkimin e ujërave të zeza në afërsi të pus-shpimeve. Ndërkohë është kërkuar klorifikimi i ujit të pijshëm si në qytet ashtu edhe në ujësjellësit e fshatit. Mësohet se drejtoritë e këtyre ujësjellësve kanë kërkuar të parashikohet si zë subvencionimi nga shteti i klorit pasi buxheti i vetë këtyre institucioneve shpesh nuk e përballon sasinë e kërkuar. Uji i pijshëm dhe licencimi i puseve që hapen nga vetë banorët kanë qenë në qendër të takimit të Prefekturës së Elbasanit ku u vendos mos legalizimi i të gjitha objekteve brenda distancës së përcaktuar me ligj për pus-shpimet dhe ujësjellësit.